Laçi po tregon një fytyrë tjetër nën drejtimin e Mirel Josës, duke u rikthyer në rimtin e duhur në kampionat. Kubinasit sot mposhtën me rezultat të thellë 5-0 Dinamon, duke konfirmuar se mbetet pretendentë për objektivin maksimal këtë sezon. Në një intervistë me emisionin “Sport Magazine“ të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News”, Renato Malota tregon se çfarë ka ndryshuar Josa në skuadër, si dhe jep vlerësimin e tij për rivalët e këtij sezoni. Gjithashtu futbollisti i Laçit prek edhe çështjen e sulmuesve, ku tregon se Superiores i mungojnë emra si Olainka, Xhejms apo Soue, si dhe i vetmi që mund të bëjë diferencën është Taulant Seferi.
“Profesori na ka rikthyer atë qetësinë që na ka munguar në fillim të kampionatit. Është një trajner që punon shumë dhe i vë shumë rëndësi taktikës. Mendoj që ekipi po i përgjigjet në mënyrën më të mirë, çka e kemi treguar që kur ai ka marrë ekipin. Shpresoj të kemi vazhdimësi, sepse ky kampionat nuk ka shumë diferencë. Të gjithë ekipet aty-aty janë dhe do jetë një luf.të shumë e vështirë deri në fund. Është herët për të folur për kampion. Kështu që e rëndësishme për ne është të sigurojmë Europën, pasi Laçi gjithmonë objektiv ka pasur daljen në Europë. Pastaj pse jo dhe kampion, pasi është një super bonus për të gjithë.
Në fillim isha i pastërvitur se kisha një gjendje gripale ku qendrova dy javë pa stërvitje. Kam pasur edhe një keqkuptim që ndodhi me presidencën e klubit dhe për dy ndeshje nuk luajta. Gjithashtu kisha një dyjavësh tani ku kisha një problem me tendinën. Nuk kam pasur një ecuri të mirë sepse lëndimet më kanë ndaluar. Ndërhyrja te Dinamo? Ishte instikt, sepse sapo portieri doli shkova direkt në portë. Normalisht ishte edhe fat. Por ishte vendimtare, sepse ndeshja ishte 2-0 dhe po të shënonte shkonte 2-1. Mendoj që deri diku ndikoi, por duhet ti përgëzoj të gjithë.
Me çfarë shoh, Tirana nuk ka ekip më të mirë se vjet. Është thjesht një moment që janë në vend të parë. Vllaznia ka treguar që di të luajë futboll, ka ekip të mirë, por ka oshilacionet e veta. Teuta është kampionia në fuqi dhe normalisht janë për tu pasur frikë. Kukësi ka ecur mjaft mirë, por të shohim në vazhdim si do reagojë. A do jetë të mbajnë ritmin për të shkuar më lart? Jemi të paktën 5-6 rivalë të denjë për kampion.
Sulmues që e kam frikë? Jo. Kur isha te Kukësi ka qenë Olainka, Xhejms, ka qenë Soue te Skënderbeu, që janë lojtarë që nuk janë në kampionatin shqiptar realisht. Por do të thoja Seferin. Është një lojtar potent, shumë i mirë. Është i vetmi lojtar që bën diferencën në kampionatin shqiptar. Po ta krahasoj me vjet, këtë vit është kampionat më i fortë. Janë 7 ekipe që janë pretendentë për Europë. Vjet ishin vetëm 4-5 ekipe. Por po të marrim vitet 2010-2014 niveli i kampionatit shqiptar ka rënë“, ka thënë Renato Malota./Halit Delibashi-Sport Ekspres/