Te Kukësi ishin duke i bërë llogaritë për titullin kampion në nisjen e këtij sezoni. Ndërkohë kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje nga fundi i kampionatit, verilindorët kanë vetëm gjashtë pikë më tepër sesa pozita që mbahet aktualisht nga Bylisi, ku përfundon në “Play-Out”.
Ndeshja e radhës për ekipin e Josës do të jetë kundër Vllaznisë dhe për këtë arsye te Kukësi janë duke ngritur një tjetër diskutim. Ajo që kërkohet me çdo kusht është mbledhja e sa më shumë pikëve që në fund të mos diskutohet për mbijetesën në Superiore. Në bazë të deklaratës së dhënë nga Mirel Josa sipas “Supersport”, trajneri nuk e fsheh frikën për rrezikun që i kanoset ekipit.
“E ardhmja? Asnjëherë nuk është herët në këtë drejtim. E kam thënë edhe më parë, asnjëherë nuk më ka mbajtur kontrata me një klub, pavarësisht se kam kontratë edhe për sezonin e ardhshëm. Do të shikohet nëse klubi është i kënaqur me punën time dhe unë nëse jam i kënaqur me mënyrën se si funksionon klubi. Këto janë gjëra që do të marrin shumë shpejt rrugën që kërkohet.
Kukësi synon të grumbullojë sa më tepër pikë, për të treguar lojtarët se cilat janë mundësitë e tyre gjatë 90 minutave. Ky është objektivi kryesor i imi dhe i lojtarëve. Me këtë gjuhë u kam folur edhe futbollistëve. Frikë për zonën play-out? E thashë edhe më parë që ne do të mundohemi të grumbullojmë sa më tepër pikë, pra do të thotë që siguri nuk ka. Duhet të japim maksimumin tonë në mënyrë që skuadra mos të ndihet papritur e pa kuptuar në një gjendje shoku.
Normal që nuk i kemi bërë punët ashtu siç duhet këto ndeshje, por do të flisnim ndryshe nëse skuadra nuk do të kishte marrë katër pikët me Kastriotin dhe Tiranën. Ishin ato pikë që na dhanë njëfarë qetësie, qetësi që u prish më vonë, pavarësisht se kemi luajtur me skuadra që i donin me çdo kusht pikët dhe nuk ia kemi dalë”, tha Josa. /Sport Ekspres/