Interi do të luajë ndeshjen e parë në Champions League përballë ekipi gjerman të Borussia Mönchengladbach. Në një ndeshje kaq delikate Conte duhet të kishte të gjithë lojtarët më të mirë në dispozicion, veçanërisht pas humbjes së derbit të Milanos në fundjavë.
Fatkeqësisht për trajnerin italian, mbrojtësi më i mirë i krahut i ardhur nga Dortmundi, Hakimi nuk do të jetë prezent në Champions League, pasi është infektuar me COVID-19. Lajmin e ka bërë të ditur faqa zyrtare e klubit zikaltër në rrjetin social Tëitter, ku ka deklaruar se Hakimi do të izolohet deri në shërim të plotë nga virusi pandemik.
“FC Internazionale Milano njofton se Achraf Hakimi doli pozitiv për Covid-19 pas kontrollit të fundit të Uefas (kërkohet nga protokolli i ngjarjes) i kryer në funksion të ndeshjes së mbrëmjes së sotme kundër Borussia Mönchengladbach. Ai do të jetë larg fushës deri në shërim të plotë.”- deklarohej në postimin e shpërndarë në Twitter./Elio Hajdari-Sport Ekspres/