Asnjë përmbysje. Në “Parc de Princes”, edhe pse tifozeria vendase pariziene u përpoq në të gjitha mënyrat që të ushtronte presion te djemtë e Zinedin Zidanit, nuk mundi të ndikonte. Mungesa e Nejmarit ishte shumë e madhe për të mos u vënë re dhe për të mos u llogaritur. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, edhe pse vendësit ishin ata që kërkuan më shumë golin, megjithatë “galaktikët” u treguan të kujdesshëm dhe provuan me kundërsulme, të bindur dhe të sigurt nga fitorja 3-1 në “Bernabeu”. Por, në pjesën e dytë, Kristiano Ronaldo tregoi edhe njëherë pse konsiderohet si futbollisti më i mirë në botë, bashkë me Lionel Mesin.
Një gol që pllakosi heshtjen në stadium, teksa vuri në binarët e kualifikimit sfidën për 11 herë kampionët e Europës. Dhe, golit të portugezit iu shtua edhe një karton i kuq i Marko Verratit, që protestoi ndaj arbitrit duke marrë të verdhën e dytë. E megjithatë, vendësit gjetën forcën me Kavanin që të reagonin, duke barazuar shifrat në 1-1. Një gol që ndezi shpresën dhe entuziazmin, por vetëm për pak, sepse në kundërzbritjen e tjetër, Kasemiro do të gjente golin e 2-1 për Realin dhe do të vuloste çdo gjë.