Nuk ka kthim pas/ Kapiteni i kundërpërgjigjet Gasperinit në rrjete sociale, Atalanta e dërgon me të rinjtë

Marrëdhënia mes Papu Gomezit dhe Gasperinit është thyer tashmë dhe mes dy palëve duket se nuk ka më kthim pas. Argjentinasi ka provuar disa herë stolin pas sherrit me trajnerin dhe që nga ai moment situata nuk ka qenë asnjëherë e qetë në kampin zikaltër. Thumbimet dhe kundërpërgjigjet tashmë vijojnë përmes deklaratave në media apo në rrjetet sociale dhe i fundit vjen pas fjalëve të Gasperinit në përfundim të fitores 4-1 kundër Beneventos.

Kreu i pankinës së bergamaskëve deklaroi se nuk dëshiroi të aktivizonte kapitenin 32-vjeçar për shkak se kërkonte të ndryshonte modulin. Në këto kushte Gomez do të dilte jashtë pozicionit të tij. Por fjalët e Gasperinit kanë rënë në veshin e argjentinasit, që ka zgjedhur profilin e tij në “Instagram“ për t‘ju kundërpërgjigjur.

12 imazhe janë shpërndarë prej tij, të shkëputura nga ndeshjet e Atalantës këtë sezon. Futbollisti zikaltër ka fokusuar pozicionin e tij në fushë, ku shihet të ndodhet kudo. Diçka kjo që nënkupton se mund të japë kontributin e tij në çdo skemë të ekipit. Në një marrëdhënie të tillë paqja duket larg dhe për këtë sigurohet përsëri Gasperini, që e ka dërguar lojtarin të stërvitet me të rinjtë e ekipit në shenjë dënimi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *