“Nuk jam xheloz për kalimin e Mbapesë te Reali”, presidenti i Barcelonës: Do të shkatërrojë dhomën e zhveshjes

Kilian Mbape ka refuzuar rinovimin me PSG-në dhe në verë do të jetë një lojtar i lirë. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar, por e ardhmja e sulmuesit francez me shumë mundësi do të jetë Reali i Madridit. “Mundo Deportivo” ka shpërndarë një video, ku presidenti i Barcelonës pyetet nëse është xheloz për këtë transferim. Laporta është përgjigjur se nuk ndjen aspak zili. Madje shton se ky transferim do të shkatërronte dhomën e zhveshjes te Reali i Madridit.

“A jam xheloz për transferimin e Mbapesë te Reali i Madridit? Jo, aspak. Për më tepër nuk e di nëse do ta marrin apo jo. Të shohim. Kanë probleme, duhet të shesin ndonjë futbollist, sepse nuk do të luajnë dy në të njëjtin vend. Aq më tepër që janë lojtarë shumë të shquar. Duke folur për shifrat që do të shpenzojnë, me siguri që do të shkatërronte dhomën e zhveshjes”, ka thënë Joan Laporta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/