“Nuk jam i kënaqur me një pikë”, Gvozdenoviçi synonte fitoren ndaj Tiranës: Kishim mundësinë për 2-0

Tirana është ndalur në një barazim 1-1 në Korçë. Skënderbeu kaloi i pari në avantazh, duke gjetur rrugën e rrjetës me anë të Nikajt në minutën e 28. Kaina ktheu sërish baraspeshën në shtesën e pjesës së parë dhe i çoi shifrat në 1-1. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare të takimit.

Ndërkohë, me të njëjtin rezultat janë ndarë edhe Teuta me Laçin. Ekipi i Edi Martinit kaloi në avantazh në minutën e 45 me anë të Daçit. Durrsakët udhëhoqën ndeshjen deri në minutën e 93-të, kur Myrta i prishi mbrëmjen me golin e tij. Laçi rrëmben kështu një barazim në frymën e fundit të ndeshjes dhe mban ritmin e Tiranës së vendit të tretë. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre në emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Për mendimin tim nuk ishte rezultati i duhur. Ne donim fitoren. Pjesën e dytë ishim më mirë. Edhe Nikaj humbi një rast për 2-0. Nuk jam i kënaqur me një pikë. Unë nuk i thashë lojtarëve të rrinim mbrapa. I thashë që të vazhdonim. Por edhe Tirana vazhdoi përpara. Ka të bëjë edhe cilësia e Tiranës. Por edhe në këto 15 minuta e kishim rastin për golin e dytë. E di cilësinë e Tiranës, por kishim momentin për golin e dytë. Pastaj pësuam një gol pa fat dhe… Kemi sulmuesë të mirë, por na duhet pak kohë”.

Martini (Teuta): “Të vjen keq. Është e dyta ndeshje që ndodh. Edhe në ndeshjen e parë me Partizanin e pësuam në fund, edhe tani e pësuam në fund. Por kështu e ka futbolli. Pjesën e parë e merituam ne, pjesën e dytë e meritoi Laçi. Portieri gaboi sot, por portieri na ka shpëtuar në ndeshje të tjera. Ikën dy pikë dhe është gjynah nga Zoti. Duhet të kisha marrë guxim që të ndërroja një nga mesfushorët e qendrës. Në minutat e fundit përgjegjësitë janë të mëdha, mund të gabojnë dhe mund të ndikojë për të adhmen. Unë nuk mendoj që të shpëtoj. Unë mendoj për vendin e katërt. Vendi i katërt duhet të jetë i joni. Normalisht që po të pësosh në minutën e fundit do të jesh pesimist”.

Ahmataj (Tirana): “Është një përgjigje pozitive, sepse në shumë momente të lojës ishim duke bërë atë që kishim punuar. Ishim pranë ta fitonim ndeshjen. I sfumuam mundësitë tona. Normale që një ekip në shtëpi do të bëjë më shumë për të mos e humbur ndeshjen. Kishim përgatitur atë që pamë pas 25 minutave të para. Presioni i rezultateve i nxjerr lojtarët nga ajo që kishim përgatitur. Prandaj në 25 minutat e para më patë pak të mërzitur. Kemi rrugë shumë të madhe për të bërë. Kemi shumë ndeshje dhe vazhdimësia është ajo që do të tregojë ecurinë e skuadrave. Cilësinë e kemi, lojtarët e kemi, plus që po aktivizojmë edhe lojtarë të rinj. Duhet eksperienca e duhur dhe forca e duhur për të përballuar nivele të larta. Kishim edhe shumë mungesa. Por unë jam i kënaqur me atë që pashë. Situata është shumë e qetë. Çdo trajner ka ato tiparet e veta. Mua më shqetëson kur skuadra nuk bën ato që ne kemi përgatitur. Ju e patë që pastaj unë isha shumë i qetë”.

Josa (Laçi): “Duke pasur parasysh zhvillimin e ndeshjes, në pjesën e parë duhet ta kishim interpretuar ndeshjen shumë më mirë. Me mënyrën se si ne u shprehëm, me veprimet sulmuese, nuk ishte e drejtë. Humbëm shumë pasime dhe i dhamë mundësinë ekipit të Teutës të na sulmonte. Duhet të kishim kontrollin e lojës, sidomos kur kishim erën në favor. Jo për rezultatin që doli në 1-1,sepse mund të flisnim ndryshe tani. Por u bë një kompesim i pikës me Partizanin dhe në këtë ndeshje tani. Mua më pëlqeu fakti që skaudra ngulmoi deri në fund. Por nëse nuk do të kishim shënuar, do të flisnim ndryshe tani.”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *