Klaus Gjasula do të largohej nga ekipi i Hamburg pa lënë gjurmë dhe përshtypje pozitive, pavarësisht se pritshmëritë ishin të larta për të. Mesfushori shqiptar ka zgjedhur që të vazhdojë rrugën e karrierës te Darmstad, ndërsa në këtë javë të kampionatit do të përballet ndaj ish-ekipit, Hamburg.
Pavarësisht ndjenjës së brendshme për t’i treguar të gjithë njerëzve që nuk besuan te Gjasula sesa vlen, vetë lojtari ka sinqeritetin për të pranuar gabimet e tij. Nga ana tjetër tregohet edhe problemi që është vuajtur sikurse edhe Morata në Europian, teksa komente të shumta negative në rrjetet sociale ndikojnë edhe në performancën e lojtarit.
“Ndodh me të gjithë lojtarët, edhe me ata që nuk e pranojnë. Duhet të jesh në gjendje shumë të mirë që t’i trajtosh rrjetet sociale si futbollist profesionist. Disa kanë zgjedhur që të largohen prej tyre për të arritur paqen mendore. Nuk mund ta vendosësh veten nën presion sepse duhet t’i tregosh të tjerëve sesa vlen.
Unë nuk isha mësuar që të sulmohesha nga çdo cep i mundshëm për shkakun e një ndeshje të keqe. Kjo heq argëtimin e futbollit. Nëse nuk ndihesh mirë, nuk rrit dot performancën tënde. Por përpara të gjithave, dua të them se jam unë përgjegjës. Doja të lija përshtypje të mirë dhe të tregoja vlerat e mia, por tifozët e Hamburg panë një fytyrë tjetër timen”, tha Gjasula.
Në ndryshim nga e zakonshmja, Gjasula ka luajtur pa helmetën e tij në debutimin me Darmsatd. Kjo nuk ndodhte që nga viti 2013, ndërsa mesfushori e përdorte si mbrojtje për goditjet që mund të marrë në kokë. “Kam menduar që të luaj edhe ndaj Hamburg pa helmetë. Doja të filloja një kapitull të ri, ta nisja nga e para. Ishte e çuditshme si ndjenjë në 15 minutat e para, më veçanërisht për duelet me kokë. Por pastaj e gjeta normalitetin”, u shpreh Gjasula. /Sport Ekspres/