Këto vitet e fundit kampionati kinez ka tërhequr shumë lojtarë me emër, duke i mbuluar në “ar”, aq sa tashmë çdo futbollist në vitet e fundit të karrierës e sheh si një mundësi të shkëlqyer për të mbushur llogarinë bankare.
Megjithatë, ka edhe nga ata që refuzojnë dhe një prej tyre është sulmuesi i Napolit, Dris Mertens. “E ardhmja ime? Nuk do të luaj kurrë në Kinë, sepse gruaja ime Kat nuk dëshiron të shkojë aq larg. E kam pasur shansin të shkoj, edhe sepse për dy vite do arkëtoja sa për gjithë karrierën time, por jam shumë mirë te Napoli, është një qytet që më pëlqen dhe kam edhe dy vite kontratë”, deklaron sulmuesi për televizionin belg EEN.
31-vjeçari, i cili shënoi 18 gola në Serinë A në sezonin e sapombyllur, do të jetë në Botërorin rus këtë verë: “Çfarë do të zgjidhja mes titullit te Napoli dhe Botërorit me Belgjikën? Nuk di ç’të zgjedh, të jesh kampion bote është diçka tepër e madhe në futboll, por kam vite që punoj dhe ëndërroj të fitoj titullin me Napolin”.