“Nuk i pashë penalltitë, nuk më ecën kur i shoh”, Simeone i emocionuar nga kualifikimi: Jemi të pabesueshëm

Atletikoja e Madridit ka siguruar kualifikimin për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas një ndeshjeje emocionuese kundër Interit. Spanjollët arritën të triumfonin në ruletën ruse të penalltive, duke rezervuar një vend në 8-shen më të mirë të Europës. Diego Simeone ka thënë për “Movistar”-in pas ndeshjes se nuk pati guximin t’i shihte gjuajtjet e 11 metërshave, ndërsa ka shtuar se ka eliminuar një nga më të mirët e Europës.

“Nuk i pashë penalltitë. Nuk më ecën mirë kur i shoh dhe vendosa të mos i shikoja. Atletikoja është një skuadër e pabesueshme. Kanë një tifozeri emocionuese. Kur ekipi është si sot, emocioni rritet. Tani ne do të jemi mes 8 më të mirëve të Europës edhe një herë tjetër dhe kjo flet shumë për klubin. Eliminuam një nga më të mirët e Europës për momentin. Ndeshja ishte emocionuese”, ka deklaruar Simeone./Halit Delibashi-Sport Ekspres/