“Nuk i kam borxh askujt”, Sinan Idrizi mendon largimin nga Flamurtari: Nëse nuk firmoset ligji, ia thashë edhe Edi Ramës

Nga Klaudio Ndreca

Sinan Idrizi vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm për të kërkuar miratimin e ligjit të sportit nga ana e Qeverisë. Një gjë e tillë do t’i jepte një dorë edhe klubeve shqiptare sa i përket ekonomisë, por që tashmë duket tërësisht i harruar për shkakun e pandemisë.

Paketa që po miratohej nga ana e shtetit ishte shumë larg asaj të kërkuar nga futbolli, duke e lënë edhe këtë çështje të papërfunduar. Ndërkohë në një intervistë për “Fan Zone”, Idrizi shprehet se po mendon largimin nga Flamurtari nëse nuk do të firmoset ky ligj. I pyetur nëse kjo është një tërheqje “me lezet”, administratori i klubit e mohon, duke u shprehur se nuk i ka askujt borxh. Më tej Idrizi shtoi se i ka bërë kërkesë edhe Edi Ramës për miratimin e ligjit të sportit.

A duhet luajtur futboll në këto kushte?

Jo, në këto kushte jo. Unë jam për ndërprerjen e kampionatit dhe për rrëzimin e skuadrave që janë të fundit e shpalljen kampion të skuadrës që kryeson. Pra të jepen verdiktet sipas renditjes aktuale.

E thoni këtë ngaqë Flamurtari nuk ka asgjë për të luajtur?

Flamurtari është në vend të fundit dhe jam dakord që mbijetesa do të jetë e vështirë nëse luhet, por nuk e them për këtë arsye.

Njerëzit dalin në rrugë dhe ecin normalisht. Kaq e vështirë është të luhet futboll?

Unë e shoh në një plan tjetër, pasi në rast të infektimit me Covid-19, duhet të mbajë dikush përgjegjësi, në rastin konkret administratori.

Keni pasur marrëdhënie relativisht të çuditshme me FSHF-në…

Unë vazhdimisht kam ndryshuar qëndrim, në varësi të rasteve, por nuk ndryshoj asnjëherë mendim.

A do të vijoni të mbani ekipin edhe vitin e ardhshëm në Kategorinë e Parë? Nëse po, cili është projekti?

Që të jemi korrektë, dështimin për rënien e Flamurtarit një kategori më poshtë e marr vetë për sipër. Përgjegjësia është e imja për këtë. Vazhdimësia ime në administrimin e klubit, lidhet me ligjin e sportit. Nëse ky ligj miratohet, unë vazhdoj, në të kundërt nuk kontribuoj më në sport, ose maksimumi do të financoj nga jashtë, deri në rikthimin e klubit në Superiore.

Pse e nisët investimin te Flamurtari gati 6 vite më parë?

Unë në atë kohë iu përgjigja thirrjes së trajnerit Ernest Gjoka dhe kryebashkiakut Gjika, të cilët kishin një plan, ndaj që atëherë skuadra më mbeti mua.

Pas kaq vitesh, nuk dukeni më optimist, çfarë ju ka zhgënjyer më tepër?

Prej 6 vitesh këtu nuk ka një vendim, nëse klubi do të privatizohet apo do të jetë publik. Nuk mund të jetë njëkohësisht edhe pronë publike, edhe private.

Mos ndoshta çështja e ligjit të sportit është një mënyrë për t’u shkëputur me lezet, pasi ky ligj vështirë se do të miratohet tani afër?

Nuk kam arsye të shkëputem me lezet, pasi mund të shkëputem direkt nëse e shoh të arsyeshme, sepse nuk i kam asnjë borxh askujt në këtë klub. Kam investuar sa kam mundur, por nuk i kam askujt borxh.

Sa keni shpenzuar gjatë kësaj periudhe? Pse mendoni se nuk e keni gjetur formulën e suksesit?

Nuk ka mundësi të gjesh formulë suksesi, kur ti investon 100% të shumës në një kompani ku ke zero përqind të aksioneve. Nuk më kujtohet shifra sa kam shpenzuar gjatë këtyre viteve.

Besoni se keni gabuar në menaxhimin sportiv?

Nuk mund të flasësh për menaxhim, pasi ne jemi një klub pa bilance. Unë kam kërkuar që të rregullohen rregullat e lojës dhe të provoj më pas veten time, jam apo jo i aftë për të drejtuar një skuadër futbolli.

Jeni shumë pranë kryeministrit Rama. Çfarë opinioni ka ai për këtë çështje dhe pse nuk po e bindni që të miratojë ligjin?

Dje ishte Rama në Vlorë dhe ia bëra të qartë që nuk ka nevojë të ndërtojë stadiume, por thjesht të miratojë ligjin e sporteve, pasi ky është hapi i parë për të thithur investitorë. Askujt nuk i ka interesuar të bëjë një ligj sporti, pasi deri tani të gjithë kanë abuzuar dhe vjedhur fondet, nëpërmjet menaxhimit të fondeve për klubet. Për ligjin ka munguar vullneti politik, por Rama më ka garantuar se tani është gati dhe do miratohet shumë shpejt. Ndryshe nga Kosova, në Shqipëri kjo është çështje vullneti, pasi bashkitë në këtë mënyrë nuk ia japin futbollin biznesit dhe e përdorin për ta zhvatur dhe për të majmur anëtarët politikë. Mjafton të shihje zgjedhjet për kreun e FSHF-së, ku 70% e njerëzve ishin përfaqësues të bashkive, ndërkohë që investimin e bëjmë ne privatët.

Si janë marrëdhëniet tuaja me zotin Duka?

Kemi pasur konfrontime të ndryshme, në aspekte të ndryshme, por i kemi sqaruar dhe kaq.

Për çfarë mendoni se do të mbaheni mend, për njeriun që nuk menaxhoi mirë Flamurtarin, apo atë që kërkoi të bëjë revolucion në sporte?

Unë jam ky që jam dhe nuk di të them për çfarë do të mbahem mend.

A mund të rimëkëmbet Flamurtari sërish, pasi dihet që ka borxhe të shumta?

Unë kam shlyer borxhe të të tjerëve dhe kështu që nuk kam për të lënë asnjë borxh mbi Flamurtarin. Unë i kam bërë thirrje mikut tim Shpëtim Gjika, që të shkojë të paguajë detyrimet e vitit 2012, për të cilat janë bllokuar llogaritë e klubit dhe më pas unë shlyej menjëherë detyrimet e mia. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *