Me përfundimin e sezonit në La Liga 2, Keidi Bare menjëherë ka nisur të kërkohet në merkato. Espanjol ishte e para që dëshironte shërbimet e mesfushorit shqiptar, por oferta fillestare u rrëzua nga klubi i Malagas, teksa shifra ishte e ulët. Klubi bardheblu e ka të qartë se çfarë rruge duhet të ndjekë me talentin e Kombëtares kuqezi. Drejtori sportiv i Malagas, Manolo Gaspar, ka shpjeguar për “Deportes Cope Malaga” strategjinë e merkatos.
Gaspar thekson se klubi nuk ka ndërmend të dhurojë asetet e saj, të tillë si Bare. Ofertat për të do të vijnë, por te Malaga kërkojnë ta lënë të lirë vetëm nëse një ofertë kap një shifër që nuk do ta mendonin dy herë shitjen e mesfushorit, ndërsa plani kryesor është që Keidi Bare të huazohet këtë verë.
“Disa nga lojtarët aktualë i kanë armët që duam. Pastaj ekziston plani ekonomik dhe fizibiliteti. Ideja është për të vazhduar me disa nga lojtarët aktual. Nuk ka qenë një vit i lehtë dhe ata janë protagonistët kryesorë. Kanë respektin tim për veprën. Ne do të ndërtojmë një bazë të fortë. Jam optimist për të dërguar në huazim Keidi Baren dhe 3 të tjerë, sese nuk kanë paga të larta.
Sigurisht që ofertat do të vijnë për Keidi Bare dhe për një tjetër. Por ne do ta vlerësojmë. José María nuk do t’i dhurojë asetet. Nëse oferta është e mirë, po. Ne jemi të gjithë shitës, por jo me çdo çmim, por me atë që shohim është më e mira për ekonominë tonë”, tha drejtori sportiv i Malagas./Halit Delibashi-Sport Ekspres/