Çudia e madhe e këtij Kampionati Botëror janë minutat shtesë. Shumë tifozë u habitën kur panë tabelën e gjyqtarit të katërt të shënonte 14 minuta shtesë në pjesën e parë. Një kohë jashtëzakonisht e madhe që kurrë më parë nuk është akorduar në një ndeshje futbolli. E si për të mos mjaftuar me kaq, në fund të kohës së rregullt u akorduan edhe 10 minuta të tjerë, megjithëse loja vazhdoi edhe me tre minuta përtej shtesës.
Në total 27 minuta shtesë, që bënë shumë njerëz të pyesin veten: “Përse“? Arsyeja është fare e thjeshtë. FIFA nuk dëshiron të humbasë asnjë sekondë futboll. Taktikat e mëparshme të vonimit të lojës tashmë nuk vlejnë më, pasi arbitri mat saktësisht gjithë kohën e shpërdoruar për ta shtuar atë në përfundim të pjesëve. Ky rregull i ri ka nisur të zbatohet në këtë Kupë Bote, ku u pa edhe në ndeshjen tjetër të sotme mes Senegalit dhe Holandës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/