Partizani ka marrë fitoren e parë në këtë kampionat duke mundur Kastriotin në shifrat 0-2. Emiljano Musta shënoi në të 36 me një goditje perfekte nga distanca. E vetmja mënyrë sesi mund të vinte goli në një ndeshje “të fjetur”. Ndërkohë në pjesën e dytë, Kastrioti e ka shtuar tepër ritmin dhe kishte shumë mundësi për të barazuar rezultatin. Në disa aksione ishte Teqja që shpëtoi portën e Partizanit. E teksa Kastrioti po provonte gjithçka për të barazuar në fund, Rrapaj dyfishoi shifrat në të 89.
Nga krahu tjetër, Laçi ka arritur që të fitojë ndaj Teutës me rezultatin 2-0. Goli i Mazrekajt do të vinte në minutën e 42, ndërsa Guindo e hipotekoi në shtesë për t’i dhënë fitoren e dytë në po aq ndeshje të luajtura në drejtimin e Mirel Josës. Xhekson do të ndëshkohej me karton të kuq në minutën e 80, për t’i lënë durrsakët me 10 futbollistë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Ndreu: “Ekipi shkon me ide deri në fazën e sulmit dhe nuk kemi lojtarë që ta shtyjnë topin. E kemi dominuar Partizanin në 45 minuta. Goli i parë i Mustës ishte i dhuruar nga ne. Nuk mund të shpërndahet barikada në atë mënyrë dhe portieri nuk ishte vendosur mirë. Ndonjëherë është më mirë një boshllëk në mbrojtje dhe mesfushë, për të marrë një sulmues të mirë në merkato”.
Martini: “Kemi luajtur mirë, por nuk kemi dalë te rezultati. Ky është futbolli. Ky kampionat është njësoj si i vjetshmi. Vjet ishte Vllaznia që kishte dy tre muaj kohë për t’u përgatitur dhe mori shkëputjen, në fund fituam ne. Këtë herë ishte Kukësi dhe Tirana që kishte dy tre muaj kohë për t’u përgatitur, ndërsa ne që konkurruam në Europë, po ndiejmë shënjat e lodhjes. Nuk ka mbaruar ende”.
Daja: “Kemi folur me djemtë dhe kemi thënë që e kemi dërguar veten në këtë krizë ku jemi. Nuk duhet ta delegonim përgjegjsinë te tjerët, por duhej ta shihnim te vetja. Tani shpresojmë se kjo do të jetë pika e kthesës dhe periudha e Kombëtares na jep qetësinë. Sot nuk kishin rëndësi taktikat, por dëshira dhe sakrifica. Po të shikoje lojtarët në fushë dhe stoli ishte në maksimum për të shkuar drejt fitores. Si trajner i lashë edhe një ditë pushim. Nuk gjetëm se kush ishte fajtori, por të gjithë bashkë u mblodhëm dhe duam që të rikuperojmë gabimet e bëra. Alban Hoxha ka frakturë në gishtin e dorës. Do presim vendimin e stafit mjekësor për ta parë se kur do kthehet. Por një meritë shkon për Teqjen pasi në 2 ndeshje ka mbajtur portën e paprekur”