Nuk është trajner, portier ka qenë! Nënvlerësimi i Egbo dikur, Tirana me duart e një tjetër portieri drejt trofeut

Tetë ndeshje të zhvilluara dhe 20 pikë të grumbulluara. Tirana shkon e pamposhtur drejt ndeshjes së fundit të fazës së parë. E për të parë një situatë të ngjashme për bardheblutë kthehemi pas në kohë, atëherë kur në pankinë qendronte Emanuel Egbo. Nga trajner i portierëve nigeriani merr timonin e Tiranës dhe e dërgon drejt titullit kampion. Gjithçka nisi nga derbi kundër Partizanit, që pas 6 viteve i rikthehet përsëri bardhebluve. E prej aty, një seri prej 14 ndeshjes pa humbje në kampionat e ndoqi, prej të cilave 13 ishin fitore.

Por as kjo ecuri mbresëlënëse nuk mjaftoi që në Shqipëri të lëshoheshin kritika, të cilat nuk lidheshim me asgjë tjetër veçse rolit që Egbo dikur mbante në fushë, atë të portierit. Një rol ky që si duket në Shqipëri nuk ngjallte shumë respekt e nuk shihej i duhuri për të bërë më pas karrierë në detyrën e trajnerit. Por ja ku jemi sërish, në po të njëjtin e ekip, me 8 ndeshje i pamposhtur dhe me një ish-portier në stol. Por këtë herë mendimi kritik çuditësht ka ndryshuar. Roli i portierit nuk shihet me përçmim, e përkundrazi ka nisur të marrë respektin që i takon.

Një Tiranë e destinuar të shkëlqejë nën drejtimin e ish-portierëve, apo ish-portierë të destinuar për të bërë ekipet të shkëlqejnë? Ruajtësit e katërkëndëshit shpesh herë konsiderohen si trajneri në fushë i skuadrës dhe ky është një themel i mirë për një karrierë të sukseshme në drejtimin e ekipit. Shehi dhe Egbo janë dy rastet që e përligjin tërësisht një fakt të tillë. Por nëse këtij të fundit i është dashur të “grushtojë” kritikat për shkak të rolit si futbollist jashtë zonës së tij, në portën e Shehit nuk janë “goditur“ ende. Ndoshta më mirë kështu, ndoshta opinioni sportiv është ndërgjegjësuar. Edhe portierët mund të jenë trajnerë, madje nga ata fituesit që dinë si të ngrejnë edhe trofe./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *