Në moshën 34-vjeçare, është ai mesfushori më i mirë i këtij edicioni në Kategorinë Superiore. Një motor në fushë, lojtar që garanton kualitet dhe eksperiencë, e së fundmi edhe vendimtar me golat e shënuar. Gjergji Muzaka është shndërruar në njeriun e momentit, jo vetëm te Skënderbeu, por edhe në kampionatin shqiptar.
Dy gola me peshë në dy ndeshjet e fundit, pikërisht në kohën kur skuadra kishte më tepër nevojë. Ne sfidën e titullit nga Partizani u aktivizua nga stoli, pas dëmtimit të pësuar, e menjëherë shënoi golin që zhbllokoi ndeshjen, e fituar më pas 2-0. Ndaj Kastriotit, ndërsa korçarët po vuanin më tepër nga sa mendohej, për të zgjidhur ndeshjen mendoi sërish Muzaka.
Dy gola me peshën e 6 pikëve. Fitore tejet të rëndësishme në ekonominë e Skënderbeut në kampionat. Sukses, vazhdimësi dhe kryesim, drejt ambicies së bardhekuqve për t’u rikonfirmuar kampionë. Gjergji ishte një prej elementëve më të rëndësishëm të projektit në Korçë dhe jo rastësisht klubi i ofroi rinovimin e kontratës.
Muzaka nuk e mendoi dy herë, duke qenë mes “senatorëve” të parë të ekipit, të cilët zgjodhën të qëndronin, pavarësisht momentit të vështirë dhe pezullimit të UEFA-s. Ambienti në Korçë, e ndihmoi mesfushorin të rikthehej në protagonistin e viteve të mëparshme, por rinovimi ishte edhe një detyrim moral për besimin dhe mbështetjen nga Skënderbeu.
Gjithçka pas “divorcit” të trazuar me Tiranën, në janarin e vitit 2017, me klubin që refuzonte ti paguante rrogën e plotë, sepse Muzaka ishte i dëmtuar. Madje, në atë periudhë, presidenti i bardhebluve, Halili, gjatë një debati televiziv i tha: “Nuk je Maradona!”. Në situatën e krijuar, lojtari mendoi ti jepte fund me futbollin dhe të punonte si farmacist, fushë në të cilën është i diplomuar. Por, Skënderbeu nuk mund ta linte një rast të tillë ti shpëtonte nga duart.
Drejtuesit e klubit e kontaktuan Muzakën dhe e bindën se ai mund të jepte ende shumë në futbollin shqiptar. I dhanë besim dhe kohën e mjaftueshme të kthehej në formën optimale. Muzaka u’a shpërbleu menjëherë, si protagonist në pjesëmarrjen e dytë të klubit në grupet e Europa League dhe në sezonin e rikthimit te titulli. Gjergji mbetet protagonist dhe një prej pikave më të forta të skuadrës së Shehit, ndërsa në Korçë festojnë, sepse kanë një garanci më tepër drejt një sezoni që projektohet i gjatë dhe tejet i luftuar.