Kroacia u kualifikua në finalen e Ligës së Kombeve, pasi mundi Holandën 4-2 pas kohës shtesë.
Heroi i triumfit të madh kroat ishte veterani Luka Modric, i cili zhvilloi një ndeshje spektakolare.
Gazetari i televizionit shtetëror holandez “NOS” ishte në mosbesim të plotë pas takimit, nuk mund ta besonte se një burrë 37 vjeç po luan ende në një nivel kaq të lartë.
Teksa Luka po jepte deklaratën pas ndeshjes, gazetari i kërkoi që t’i tregonte pasaportën, për të kontrolluar moshën.
“Të lutem më lër të kontrolloj pasaportën tënde. Është e pabesueshme që je 37 vjeç dhe luan dhe vrapon kështu deri në minutën e 119”, i tha gazetari Modriçit.
Kroati buzëqeshi dhe u përgjigj: “Nuk ka problem! Nëse dëshironi do t’ju tregoj pasaportën time pas intervistës. Po pasaporta ime tregon që jam aq i vjetër sa thatë ju… Tifozët më japin shumë dashuri dhe respekt, prandaj më pëlqen të luaj edhe në këtë moshë”, tha Modriç. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/