“Nuk e zgjodha unë Partizanin, ai më zgjodhi mua”! Zekiç flet si trajner i të kuqve: Kam stërvitur shumë shiptarë, më pëlqen karakteri i tyre

Zoran Zekiç ka qenë sot i pranishëm në konferencën për shtyp. Kroati ka folur fjalët e tij të para si trajner i Partizanit. Kreu i ri i pankinës së të kuqve është shprehur se kjo është një sfidë e rëndësishme për të dhe tregon se si është njohur më herët me futbollin shqiptar. Zekiç është shprehur se në karrierën e tij ka stërvitur mjaft lojtarë shqiptarë, nga të cilët ka pëlqyer karakterin dhe cilësinë.

“Unë nuk zgjodha Partizanin, më zgjodhi Partizani mua. Për mua ishte një sfidë e madhe, kam punuar në Moldavi, në Hungari, në Kroaci dhe tani kisha nevojë për një sfidë të re. Mendoj se Partizani është klubi më i madh në Shqipëri dhe për mua, stafin tim, është një mundësi që të bëjmë diçka të mirë për Europën, duke filluar nga Champions League e pastaj kampionati. Por për kampionatin do të kemi më shumë kohë.

Kam luajtur kundër Partizanit, kam punuar te Sherif Tiraspoli dhe në atë ndeshje më kujtohen kualiteti dhe mentaliteti shumë i mirë i Partizanit. Gjithashtu për fat të mirë kam pasur mundësinë që të punoj me shumë futbollistë shqiptarë në Kroaci dhe në klube të tjera dhe më pëlqen karakteri, cilësia dhe profili i tyre se si luajnë futboll. Opinioni im është që të luajmë futboll me disiplinë. Kam zhvilluar vetëm një seancë stërvitore, kam parë shumë gjëra, nuk jemi kompletuar ende, presim disa lojtarë. Padyshim duhet të tregoj veten time dhe t’u shpjegoj lojtarëve të mi çfarë pranoj dhe cilat rregulla që duhet të ndjekin në fushën e lojës dhe jashtë saj. Nuk kemi shumë kohë.

Transferimi i Grezdës? Mendoj se është pyetje për drejtorin se kam goxha punë për të bërë në fushën e lojës. Duhet ta dini që ai luajti futbollin më të mirë të karrierës së tij kur luajti me mua. Uroj që të jetë në formë të mirë, e di që ka një dëshirë të madhe të vijë te Partizani, por çdo gjë tjetër varet nga marrëveshjet.

Largimi i Kolelës edhe pse kampion? Shpeshherë jeta nuk është kaq e thjeshtë, unë u largova nga Sherif, ku fitova dy tituj e dy Kupa, luajta e fitova 50 ndeshje në atë periudhë. Po ju them se jeta është në disa raste e thjeshtë e disa herë jo, nuk di të them nëse ai kishte probleme këtu, por kjo është jeta, kjo është jeta e trajnerit. Para çdo ndeshje, marr gjërat e mia dhe i bëj gati, se ndoshta shkoj në shtëpi”, ka deklaruar Zoran Zekiçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *