Shqipëria fitoi edhe përballjen e dytë kundër Hungarisë me po të njëjtin rezultat, 1-0. Kjo humbje nuk është pritur mirë në Hungari, pasi tashmë dalin nga loja për të l.uftuar për vendin e dytë në grup. Në një lidhje direkte me emisionin “Ora Sport”, gazetari hungarez i “24.hu”, Balasz Dajka tregon se nuk e priste një rezultat të tillë, por në fund Shqipëria e meritoi fitoren.
“Ishte ndeshje e vështirë, si ajo që luajtëm në Shqipëri. Nuk prisja të fitonte ekipi juaj, prisja që Hungaria të luante shumë më mirë. Megjithatë Shqipëria e meritoi fitoren. Mediat këtu përpiqen të gjejnë çfarë ndodhi me ekipin. Patëm një Europian shumë të mirë me Francën, Gjermaninë dhe Portugalinë. Europiani mbaroi dhe patëm një moment të keq.
A është i sigurt Rosi në krye të pankinës? Mendoj se po, te gjithë besojnë te ai. Askush nuk mund të gjejë një zgjidhje më të mirë se ai. Ai ka thënë se: “Nuk jam Jezusi. Nuk jam njeriu që mund të bëj verë pa rrushin e duhur. Shqipëria ka lojtarë që luajnë në ekipe më të mira se ne”. Ndoshta ky është realiteti. Ndoshta nuk jemi më të fortë se Shqipëria dhe Polonia.
Janë të mërzitur. Jo për shkak se humbëm, por për shkak të mënyrës se si humbëm. Nuk patëm raste. Në momentin e shortit menduam të ishim pas Anglisë dhe Polonosë. Tani Shqipëria është e dyta. Ju uroj fat kundër Polonisë dhe të plotësoni ëndrrën tuaj”, ka thënë Dajka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/