Erling Haland ka ditur si t’i surprizojë të gjithë në fushën e lojës, duke qenë një makineri golash. Edhe pse u bashkua me Dortmundin në janar, asgjë nuk e ka ndalur talentin norvegjez të linte gjurmët e tij në këtë sezon, ku rrjetat e tundura kanë qenë me shumicë për të. Por ëndrra e tij për të shijuar titullin u shua nga Bajerni, që u kurorëzua për të 8-in vit radhazi kapion në Bundesligë.
Një shije e hidhur kjo për Haland, që nuk kërkon ta fshehë zhgënjimin e tij. Sulmuesi i Dortmundit, i cili këtë herë ka zgjedhur gojën për të folur dhe jo këmbët, është shprehur pa doreza për titullin e fituar nga bavarezët.
“Unë duhet të jem i sinqertë, titulli i Bayern Mynihut është m**. Është e pështirë që Bayern u bë kampion, por tani nuk ka asgjë për të bërë. Jemi të lumtur që kemi siguruar vendin e dytë, kjo është ajo që mund të bënim. Ne u përpoqëm të afroheshim sa më shumë me Bayernin, për fat të keq pa sukses”, ka thënë fenomeni Haland për “BT Sports”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/