Nga Klaudio Ndreca
Brezi i emigrantëve shqiptarë në Angli është rritur dhe në vitet e fundit Kombëtarja ka pasur shumë elemente që kanë ardhur prej andej. Mes tyre futet edhe Armando Dobra, lojtari që luan me të rinjtë e Ipswich, por që në disa ndeshje është ftuar edhe nga ekipi i parë.
Një lojtar ky që konsiderohet si një super talent për të ardhmen, ndërsa si pikën më të fortë ka driblimet. Nuk mund të kapet lehtë me lëvizjet dhe shpejtësinë, ndërsa nga ana tjetër është edhe shumë agresiv për t’u kthyer në gjysmëfushën e ekipit të tij dhe për të rikuperuar topin.
Së fundmi Dobra ka qenë i pranishëm në “Fan Zone” atje ku ka dhënë një intervistë sa i përket të ardhmes. Tifozët kuqezinjë duhet të qendrojnë të qetë pasi garantohet besnikëria ndaj tyre, ndërsa pavarësisht se është lindur dhe rritur në Londër, nuk mund të mos flasë gjuhën shqipe.
“Dua të flasim në shqip, e bëjmë në shqip intervistën. Kam bërë stërvitje shumë pak herë në javë, pasi nuk mund të dalim shumë. Kam bërë palestër edhe në shtëpi. Unë jam një tip lojtari që i kam qef driblimet. Origjina ime është nga Burreli, por kam lindur këtu në Londër.
Kur kam topin dhe kam vetëm një kundërshtar përballë, atëherë 80-90% kam për ta gënjyer atë dhe për ta kaluar. Si model? Kam qef Mesin, ndërsa nga Shqipëria kam Roshin që është i shpejt si lojtar. Unë e kam firmosur kontratën me Ipswich dhe do të mbyllet me disa detaje të fundit në ditët e ardhshme. Nëse marrë një ftesë nga Anglia? Nuk do ta merrja kurrë në konsideratë Anglinë, pasi unë i përkas Shqipërisë”, u shpreh Dobra. /Sport Ekspres/