Ndeshja e parë mes Vllaznisë dhe AEL Limasolit do të luhet më 22 korrik në stadiumin Tsirio. Ky i fundit ka probleme me sistemin e ndriçimit, për këtë arsye përballja e vlefshme për Ligën e Konferencës do të luhet në orën 17:30 (16:30 në Shqipëri). Nisur nga temperaturat e larta që regjistrohen në verë në Qipro ky orar është tërësisht i papranueshëm për kreun e Sindikatës së Futbollistëve të Qipros. Spiros Neofitidhis ka folur për “Stin Kerkida“, ku ka theksuar se UEFA nuk mund ta lejonte që AEL-i të luante në stadiumin Tsirio, si dhe nuk kupton avantazhin që mund të ketë ekipi qipriot nga zhvillimi i ndeshjes në këtë orar.
“Skuadrat u informuan gjithashtu nga ne. UEFA u informua gjithashtu. Ne jemi duke pritur për një ndryshim. Jemi duke pritur për masat paraprake. Ne jemi të trishtuar në mënyrë të paimagjinueshme që duhet të njoftonim klubet…
Nuk mund ta kuptoj se cili është interesi i AEL, çfarë avantazhi ka. Stadiumi është në gjendje të keqe. AEL është favorit. Dhe kur je favorit dëshiron të marrësh kushtet më të mira për të maksimizuar performancën tënde. Kur kushtet nuk e lejojnë atë, atëherë të dobëtit kanë një avantazh. Unë nuk e di se sa njerëz do të ndiheshin rehat dhe do të donin të ishin në Tsirio dhe të piqeshin.
Nëse stafi trainues këshilloi skuadrat të caktojnë ndeshjet gjatë këtyre orëve, atëherë ne kemi një problem serioz. Stadiumi Tsirio ka ndriçim joadekuat, nuk mund të ketë ndeshje gjatë natës. UEFA as nuk duhet të kishte lejuar që ndeshja të zhvillohej në këtë stadium”, ka deklaruar Spiros Neofitidhis./Halit Delibashi-Sport Ekspres/