Vllaznia bëri një transferim të befasishëm këtë muaj, ku afro në skuadër Albion Avdijaj. Sulmuesi shqiptar firmosi me Tiranën në verë, por në kryeqytet gjërat nuk shkuan aspak si mund ta kishte menduar. Futbollisti 26-vjeçar nuk pati minuta te bardheblutë, duke zgjedhur kështu largimin dhe tani e gjen veten me kryesuesit e Kategorisë Superiore.
Në një intervistë për gazetarin Altin Sulçe në “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News”, Avdijaj tregon për transferimin e tij. ish-sulmuesi i skuadrave si Grasshopers dhe Debrecenit zbulon se njihet prej vitesh me Brdariç, të cilit dëshiron t’ja shpërblejë besimin në fushën e lojës. E kur pyetet për Tiranën, Avdijaj nuk dëshiron ta kthejë kokën pas, teksa e quan një kapitull të mbyllur me bardheblutë.
“Ndihem mirë. Tani kam dy ditë këtu. U firmos kontrata dhe tani jam i kënaqur. Kam pasur kontakte që herët me Brdariç, që prej 5 vitesh. Kemi biseduar për situatën time me Tiranën. Siç e thashë edhe sot në konferenë, nuk kam çfarë të flas për Tiranën se çfarë ka ndodhur e çfarë nuk ka ndodhur. Atë e di Tirana dhe unë. Është një kapitull i mbyllur për mua, nuk e çoj më mendjen atje. Do shoh përpara. Në fillim nuk isha në formën e duhur. Kuptohet, sepse isha 3 muaj pa ekip. Më është dashur pak kohë, rreth një muaj.
Të gjithë duhet të gjejnë gabimin te vetvetja. Unë e di se duhet të punoj shumë për të ndihmuar ekipin dhe për t’ja kthyer besimin ndaj meje Brdariçit. Ai i di kualitetet e mia dhe çfarë di të jap unë. Premtoj të jap maksimumin tim për Vllazninë.
Ka dallime, shumë ndryshime si në Zvicrën edhe në Gjermani ku kam luajtur unë kanë qenë gjërat më profesionale”, ka deklaruar Albion Avdijaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/