“Nuk duhet të dalim me humbje nga Çekia”! Rrëfimi i Armand Dukës: Skënderbeu dhe Dinamo janë vlerë e shtuar, ja se çfarë ndodhi me Oversport

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë së fundmi një intervistë për fshf.org, ku ka analizuar disa tema mjaft të rëndësishme, duke nisur me Kombëtaren A, ekipin Shpresa, ekipet kombëtare të moshave, kampionatin ‘Abissnet Superiore’ dhe Kategoria e Parë, kampionati i moshave, projekti ‘100 Fushat’ dhe projekti ‘Uniforma Ime’, e drejta televizive dhe planet e së ardhmes.

Fillimisht kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u ndal te suksesi i dyfishtë i Shqipërisë ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, dy ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Presidenti Duka u shpreh se skuadra ka bërë vetëm detyrën në këto dy ndeshje, ndërsa nënvizon se dy takimet deçizive të Shqipërisë janë në muajin shtator, kundër Çekisë e Polonisë.

Ndër të tjera, Presidenti i FSHF-së komentoi edhe ekipin kombëtar U-21, ku shprehet shumë optimist për lojtarët e kësaj skuadre, ndërsa nënvizon se Kombëtarja e drejtuar nga Alban Bushi i ka të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar në Europian. Presidenti Duka shpjegoi edhe arsyen e ri-organizimit të ekipeve kombëtare të moshave, me trajnerin Ervin Bulku që tashmë drejton Kombëtaren U-19, ndërsa Ardi Behari, në krye të Shqipërisë U-17.

Numri një i FSHF-së jep një mesazh edhe për ekipet shqiptare që nisin nesër rrugëtimin në Kupat e Europës, ndërsa komenton edhe rikthimin e Skënderbeut dhe Dinamos në kampionatin ‘Abissnet Superiore’ si edhe garën e fortë që pritet këtë sezon në kampionatin e Kategorisë së Parë.

Presidenti Duka shpjegon arsyen e ndërprerjes së kontratës së të drejtës televizive me kompaninë ‘Oversport’ dhe çfarë pritet në vijim. Më tej, ai komenton kampionatet e moshave dhe dy projektet madhore të FSHF-së, ‘Uniforma Ime’ që mbylli edicionin e parë dhe ‘100 Fushat’. ‘Kampionati Europian U-19’ në Shqipëri? Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e zbulon për fshf.org.

– President, u mbyllën dy ndeshje të sukseshme në muajin qershor për ekipin Kombëtar. Si e keni parë skuadrën në këto eliminatore?

– Kanë qenë dy nga ndeshjet më të rëndësishme të grupit sepse konsiderohen si të lehta në letër ose ekipet në përgjithësi kanë një lloj nënvlerësimi. Por në këtë grup asnjë ekip nuk është i dobët dhe fatmirësisht ekipi ynë e kaloi me sukses, duke i vlerësuar maksimalisht të dy kundërshtarët, me një paraqitje të mirë dhe me një rezultat pozitiv. Nëse do të kthehemi dhe të shohim rezultatet, fatmirësisht nuk pësuam atë që pësoi Polonia në Moldavi. Por me gjithë optimizmin, frymën e mirë, kënaqësinë e lojtarëve dhe tifozëve, në një lloj mënyre, kemi bërë vetëm detyrën për të shkuar aty ku duhet të shkojmë. Që të shkojmë në Europian duhet të bëjmë akoma edhe më mirë në shtator. Nëse nuk bëjmë mirë në shtator, atëherë do të rrëzojmë edhe punën që kemi bërë në qershor.

– Çfarë prisni nga dy finalet e muajit shtator, nëse mund t’i konsiderojmë të tilla?

– Janë dy ndeshje shumë deçisive, Çekia është ‘kapo’ i grupit dhe Polonia është pretendenti për të qenë në vendin e parë ose të dytë. Ne gjithashtu. Besoj se shtatori do të japë 80% të pamjes se si do të jetë klasifikimi për të qenë se si do të jetë klasifikimi për të qenë pjesë e ‘EURO 2024’. Por nuk do të më pëlqente të thoja dy finale, do të thoja një. Le të shohim Çekinë, një ndeshje shumë e rëndësishme. Çekia është në një moment euforik, të mirë. Ka bërë disa rezultate pozitive, pavarësisht barazimit në Moldavi. Ka fituar kundër Polonisë, është në vendin e parë në grup. Ne duhet të shkojmë aty për t’i sfiduar ata në Çeki. Për të bërë një rezultat pozitiv, për të fituar apo barazuar ndeshjen. Nëse nuk bëjmë rezultat pozitiv në këto dy ndeshje, atëherë do të jetë e vështirë rruga jonë për në Europian.

– Ekipi U-21 luajti miqësoren e fundit përpara debutimit në eliminatore në muajin shtator. Një gjykim për skuadrën e 21 vjeçarëve dhe a besoni te kualifikimi këtij brezi?

– Nuk dua të nxitohem apo të bëj deklarata, por në përgjithësi mendimi i ekspertëve apo teknikëve jo vetëm të FSHF-së, por të gjithë atyre që kanë parë përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Bullgarisë është që kemi elementë pozitivë në ekipin U-21. Nuk nisem vetëm nga rezultati 3-1 ndaj Bullgarisë. Pa dyshim që është i mirë, pasi nëpërmjet fitoreve rritesh akoma më shumë, por edhe nga performanca e ekipit dhe nga përbërja e tij. Jam shumë i kënaqur që sa më shumë nga ata lojtarë të vijnë në ekipin kombëtar A dhe pse jo të shkojnë edhe në Europian. I kanë të gjitha mundësitë, është ekip i mirë, besoj dhe kompetitiv. Por duhet mos të nxitohemi dhe të presim ndeshjet zyrtare për të parë sesa mund të bëjnë dhe sesa larg mund të shkojnë.

– Ka pasur një ri-organizim te Kombëtaret U-19 dhe U-17 përfshirë ndryshimet në staf. Çfarë synimi kishin këto ri-organizime?

– Kemi ndryshuar qasjen në përgjithësi në marrëdhënie me stafet drejtuese të ekipeve përfaqësuese. Tashmë, jo vetëm me ekipet e moshave, por edhe me ekipin A kemi krijuar një mënyrë tjetër pune, që të gjithë trajnerët duhet të jenë me kohë të plotë në FSHF dhe në dispozicion të kësaj pune. Të mos merren me asnjë punë tjetër. Dhe për këtë arsye kemi pasur edhe ndryshime apo zëvendësim stafi, nuk kemi larguar Cungun për të vendosur Bulkun. Por ata që iu përgjigjën këtij lloj sistemi të ri, u përfshinë në këtë projekt, janë në dispozicion të ekipeve kombëtare. Jo vetëm në ditët e seleksionimit dhe stërvitjeve, por në të gjithë javën. Për të bashkëpunuar me trajnerin dhe stafin e ekipit kombëtar A, me Drejtorin Teknik, për të bërë stërvitje individuale me kandidatët apo talentët, për t’i ndjekur ata nëpër skuadrat e tyre. Pra, për të ndihmuar këto talente të rinj dhe jo thjesht për të pritur dhe për të seleksionuar se kush është i mirë të vijë në skuadër për një grumbullim apo ndeshje miqësore a zyrtare. Kam shumë besim se kjo lloj qasjeje ndryshe, ky projekt i ri do të japë rezultate pozitive. Ka nisur të japë shkëndija dhe rrit edhe përkushtimin e njerëzve, përgjegjësinë të futbollistëve që vijnë kur shohin një përkushtim ndryshe të stafeve të ekipeve kombëtare. Uroj që në ndeshjet zyrtare ekipet të bëjnë mirë dhe të kalojnë në Elite Round dhe më shumë. I kanë të gjitha mundësitë. Ne kemi talente brenda dhe jashtë vendit dhe uroj të furnizojmë ekipin A me talente të rinj.

– Kthehemi pak te gara. Nesër nis rrugëtimi i ekipeve shqiptare në Kupat e Europës. Keni një mesazh?

– Urojmë që të kemi rezultate pozitive për të katër skuadrat tona në Europë. Të katër kanë kundërshtarë që janë të kalueshëm. Por, varet nga përgatitja që ato kanë bërë dhe nga mënyra se si ekipet do të luajnë. Nuk është e njëjta gjë, çdo kompeticion ka specifikat e veta. Janë kompeticione me sistem eliminimi dhe gabimet duhet të jenë minimale. Kështu që duhet të jesh pragmatist për të bërë rezultat pozitiv. Kam shumë besim te katër ekipet, që të kalojnë të paktën turin e parë. Pa dyshim që nëse kalojnë turin e parë, fillojnë dhe gjërat vështirësohen edhe më shumë. Por, pse jo, uroj që të shohim sa më shumë futboll ndërkombëtar me klubet, për të arritur edhe në muajt e vjeshtës.

– Po afron sezoni i ri i Abissnet Superiores ku rikthehen dy emra historik si Dinamo dhe Skëndërbeu. Si e shikoni këtë sezon të ri që është në prag?

– Kampionati ynë ka një karakteristikë. Jo vetëm sezoni që presim, por e gjithë historia e kampionateve tona, ka shumë kompeticion deri në javën e fundit. Të 10-ta ekipet kanë qenë në nivele të përafërta me njëri-tjetrin dhe shohim kampionatin që sapo mbyllëm apo edhe atë paraardhës, janë kampionate që mbyllen në fund. Rikthimi i dy emrave me traditë si Skënderbeu, që ka fituar 6 tituj kampion rresht, apo Dinamo me një histori të madhe është një vlerë e shtuar për kampionatin në emra. Por duhet të jetë edhe vlerë e shtuar sportivisht, për nga ekipet, përbërja e tyre dhe kontributi që do të japin në kampionat. Uroj që të jetë një kampionat akoma më i mirë se i kaluari. Ne kemi nisur një process diskutimi bashkë me pjesëmarrësit në garë të kampionatit ‘Abissnet Superiore’ për të ndryshuar skemën e kampionatit në këtë sezon apo në sezonin e ardhshëm. Ideja është që duke pasur parasysh që ndeshjet derbi kanë më shumë interes dhe janë më të shikuara nga publiku, të ofrojmë më shumë ndeshje të nivelit kompetitiv garës së lartë si derbi dhe do ta diskutojmë edhe me klubet nëse mund të kemi një gjë të tillë, me 10 skuadra, por në një mënyrë ndryshe që t’i ofrojmë sa më shumë garë dhe kompeticion spektatorëve dhe tifozëve dhe të kemi më shumë kompeticion për futbollin shqiptar.

– E drejta televizive aktualisht është në ajër. U zgjidh kontrata me Oversport. Çfarë po ndodh me të drejtën televizive?

– Kemi ndërprerë kontratën me “broadcaster”-in që kishim për transmetimin e kampionatit shqiptar, për mos respektim të kushteve të kontratës. Kemi qenë të detyruar për të filluar një proces të ri, proces i cili konsiston në ofrimin në treg të të drejtave televizive, tashmë të lira, pa asnjë detyrim me partner tjetër. Do të shohim se çfarë do të ofrojë tregu, çfarë do të ofrojnë televizionet. Stafi i FSHF ka përgatitur mënyrën se si do t’i ofrohet tregut, diferencimin e paketave të ndryshme, qoftë për të pasur të drejtën e golave në vete, të drejtën e transmetimit, ekskluziv, jo ekskluziv. Të gjitha këto bëhen për të arritur në një pritshmëri financiare që ne kemi, ose në shifrën që ne kemi objektivat apo kishim vitin e kaluar për klubet. Nëse tregu nuk do të ofrojë këtë, padyshim kemi edhe një plan të dytë. Gjithsesi duam t’i ofrojmë në mënyrë kualitative shikuesve, por edhe klubeve financat e pritshme brenda pritshmërive. Ka një ndryshim, kemi ndryshuar prodhuesin teknik të ndeshjeve, për të pasur një produkt sa më të mirë, sa më të kënaqshëm për spektatorët në ekran.

– Të kalojmë pak te dy kolona të rëndësishme të strategjisë “Futbolli për Kombin”. Si po ecën projekti i ‘100 fushave’?

– Projekti i 100 fushave është OK, po ecim, por është një projekt i vështirë. Vështirësia kryesore është në vënien në dispozicion të terreneve të sipërfaqeve për ndërtimin e fushave të futbollit. Gjithsesi nuk jemi në ritmet apo objektivat që i kemi vënë vetes për të arritur numrin e 100 fushave brenda vitit 2025. Jemi në procesin e ndërtimit të disa fushave. Kemi në proces dy fusha artificiale në Shkodër, një për sistemin amator një për profesionistët. Kemi një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë Berat, po vazhdojmë në Lushnjë. Dinamo gjithashtu, që ka marrë në Arbanë një sipërfaqe dhe do të ndërtojë kompleksin e vet. Po vazhdojmë projektin, janë 10 fusha në proces, por nuk jemi në numrin e pritshmërive tona për të arritur objektivin 100 fusha në 2025. Për këtë u bëj thirrje edhe një herë pushteteve vendore që të bashkëpunojnë me ne për të vënë sa më shumë terrene në dispozicion dhe për të ndërtuar këto fusha. Nëse nuk arrijmë të bëjmë infrastrukturën për aq njerëz sa duan të luajnë futboll në Shqipëri, do e kemi të vështirë t’u përgjigjemi dëshirave të fëmijëve. Kështu që unë uroj brenda 2025-s të realizojmë objektivin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online