Italia ka arritur të fitojë mes vuajtjesh kundër Austrisë, teksa ndeshja u vendos në minutat shtesë. Duke parë performancën e “axurrëve” në grupe u mendua një ndeshje e lehtë për ta ndaj Austrisë, por nuk rezultoi e tillë. Lojtarët e ardhur nga stoli vendosën fatin e kualifikimit dhe tashmë kundërshtari i radhës do të përcaktohet nga sfida Belgjikë-Portugali.
Në intervistën pas ndeshjes, Mancini ka habitur disi me deklaratën duke u shprehur se më e vështira ka kaluar. “Sinqerisht ne duhej të shënonim dy gola shumë më herët dhe të mos shkonim fare në shtesë. Fituam me meritë edhe pse u lodhëm. Dinim sesi të vuanim për fitoren.
Lojtarët që erdhën nga stoli kishin mentalitetin e duhur dhe hynë për të ndryshuar historinë e sfidës. Dhanë gjithçka kishin nga vetja. E dija se do të ishte ndeshje e ashpër dhe me siguri do të jetë me fortë sesa çerekfinalja jonë”, u shpreh Mancini. /Sport Ekspres/