Vetëm dy ditë na ndajnë nga momenti kur emocionet e futbollit Italian të rikthehen sërish. Sezoni do të rifillojë me Kupën e Italisë, ku Juventusi do të shohë përballë Milanin të premten e 12 qershorit, ndërsa një ditë më vonë Interi do të përballet me Napolin e Gatuzos. Mediat përtej Adriatikut kanë bërë me dije edhe orarin e ndeshjeve. Do të jetë pikërisht ora 21:00 momenti kur ekipet italiane do të zbresin sërish në fushën e lojës.
Por rikthimi vjen me ndryshime. Futbolli nuk do të jetë më ai i zakonshmi dhe këtë e tregon edhe vendimi i marrë për takimet e Kupës. Kështu në rast se rezultati do të tregojë të njëjtat shifra si në takimin e parë, atëherë skuadrat do i drejtohen menjëherë pikës së bardhë të penalltisë dhe jo kohës shtesë. 30 minuta më tepër lojë do të ishte sfilitëse për lojtarët dhe për të shmangur dëmtimet është zgjedhur që rregulli i kohës shtesë të mos jetë i vlefshëm./Halit Delibashi-Sport Ekspres/