Novak Djokoviç e ka quajtur vaksinimin si një çështje private dhe duket se nuk është dakort ta kryejë një të tillë. Një vendim ky që e kanë ndjekur edhe sportistë të tjerë, ndër të cilët edhe Granit Xhaka. Mediat zvicerane kanë shkruar një artikull ku e rendisin Djokoviçin në të njëjtën listë me mesfushorin shqiptar, atë të personave që refuzojnë të vaksinohen. Por edhe kjo duket se nuk është e pranueshme për mediat serbe, që vërtetojnë “sëmundjen e tyre” kundër shqiptarëve.
“Novak u krahasua nga mediat vendase me futbollistin e Kombëtares zvicerane që vlerëson rregullisht Shqipërinë e Madhe. Është Granit Xhaka, një lojtar i Arsenalit, kur nuk jemi të sigurt nëse ai preferon vendin ku luan apo Shqipërinë. Portali i përmendur ka krahasuar Djokoviçin dhe Xhakën, duke i klasifikuar ata në mesin e sportistëve që ende nuk janë vaksinuar dhe se për këtë mund të përballojnë pasojat. Të krahasosh simbolin e Serbisë me një njeri që anulon të njëjtin vend në çdo hap është, të paktën, fyese dhe poshtëruese, për të mos shkruar një fjalë më të ashpër”, shkruhet ndër të tjera në artikullin e “Kurir”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/