Vetëm 19 vjeç. Një talent i madh i vlerësuar nga të gjithë. I afruar në Kombëtaren A nga trajneri Kristian Panuçi, pas emergjencës së dëmtimeve, por Albion Ademi nuk arriti të realizonte ëndrrën për të debutuar me fanellën kuqezi.
Sulmuesi i krahut të Inter Turku, që braktisi përfaqësueset e moshave të Finlandës për Shqipërinë, tregoi emocionet për grumbullimin, por foli edhe rreth faktit që nuk luajti.
“Shqipëria humbi keq në ndeshjen e parë ndaj Skocisë dhe kërkonim fitore me Uellsin. Në atë ndeshje mund të bëheshin gjashtë zëvendësime, por trajneri shfrytëzoi vetëm dy. Besoj se në ndeshjen e radhës do të arrij të debutoj”, tha 19-vjeçari për mediat finlandeze.
Rreth zgjedhjes për Shqipërinë, Ademi tha: “Më thanë se Panuçi më kërkoi në skuadër dhe nuk mund ti rezistojë ftesës. Prej moshës së vogël ndiqja ndeshjet e Kombëtares dhe bëja tifo për lojtarët kuqezi. Dëshira ime ka qenë të luaja për Shqipërinë dhe bëra një zgjedhje me zemër. Grumbullimi në Kombëtare dhe ditët e kaluara në stërvitje me lojtarët e tjerë më dhuruan një ndjesi fantastike”.