Nigeriani flet për ndeshjen e fundit dhe Superioren: Më vjen keq që u luajt aq rëndë, sepse na rrezikuan. Kemi shanse për t’u ngjitur po aq sa Tirana
Erjon Saliu
Bylisi është përqendruar te sfida e radhës që do të luajë me skuadrën e Pogradecit në Ballsh të shtunën në orën 14:00. Ballshiotët synojnë marrjen e 3 pikëve, ndërsa pritet që skuadra e Sadedinit të ketë edhe mbështetjen e tifozëve të saj të zjarrtë. Frenklin Ntepe Odira, 24 vjeç, në një prononcim për “Sport Ekspres”, ka pohuar: “Bylisi është në rrugë të mbarë dhe unë jam optimist se ne do të ngjitemi. Unë ndihem më mirë se sa një vit më parë. Kam rikuperuar shumë nga pikat e mia të dobëta dhe unë tashmë mendoj se po jam më të mirën time sepse e njoh ambientin në Ballsh. Konkurrenca me Tiranën është e madhe do të vazhdojë që të jetë e tillë sepse ne nuk po gabojmë. Mendoj se gara është shumë e fortë dhe unë besoj se ne në fund do të jemi ata që do të ngjitemi. Futbolli nuk luhet me gojë, por me gjunjë dhe në fushë. Ndaj edhe ne jemi shumë afër ngjitjes, por ama duhet që të punojmë shumë. Ne jemi një grup shumë i mirë lojtarësh dhe besoj se do e realizojmë synimin madhor që kemi”, – tha fillimisht mesfushori me tipare sulmuese, i cili ka provuar që në Ballsh të bëj edhe mbrojtësin e djathtë.
NDESHJA NË FIER – Ntepe ka folur edhe për ndeshjen në Fier, ku nga ndërhyrjet e rënda ka rrezikuar shumë. Por, ai nuk e ka problem dhe thotë: ”Në futboll edhe rreziku ka pjesën e vete, po nuk rrezikove nuk fiton. Nuk është problem, më erdhi shumë keq që kolegët e mi në Fier luanin shumë rëndë, por për ata ka kush gjykon. Unë jam mirë për fat dhe gati që të luftoj në betejën e radhës për t’i dhënë suksesin skuadrës sime”, – tha nigeriani Ntepe i Bylisit.