Raçiç tërboi vlonjatët, sherri vazhdoi pas ndeshjes

0

Gjatë gjithë lojës Stefan Raçiç ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për lojtarët e Flamurtarit pasditen e djeshme. Jo vetëm protesta për çdo vendim të gjyqtarit, për të cilat u ndëshkua me karton të verdhë, por sulmuesi i Kamzës gjatë ndeshjes disa herë u kap me Useinin e Siljanovskin. Në fund të lojës, sherri mes dyshes Raçiç-Useini degjeneroi edhe në të shara, të shtyra e goditje, por lojtarët janë ndarë nga dy stafet e futbollistët e tjerë të ekipeve. Goditjet e para janë dhënë në fushë, por sherri është bërë më i madh në korridoret e stadiumit “Flamurtari”. Ka pasur grushte mes serbit dhe disa lojtarëve të Flamurtarit, ku janë përfshirë edhe futbollistët e të dyja ekipeve. Për të qetësuar situatën është mes sherrit është futur edhe trajneri Shpëtim Duro, i cili Raçiçin e ka pasur lojtar kur drejtonte Partizanin vite më parë. Ndihmëstrajneri i Flamurtarit, Jeton Beqiri ka patur edhe një bisedë me gjyqtarin dhe arbitrin e katërt të takimit lidhur me Raçiçin. “E kuptoj gjuhën e tij dhe në çdo moment, ai gjatë gjithë ndeshjes ka sharë lojtarët e Flamurtarit, duke i provokuar. Në fund Useinin e ka goditur me kokë”, ka thënë Beqiri. Situata pas sherrit është qetësuar në holl, ndërsa nuk ka patur probleme gjatë daljes së lojtarëve të Kamzës apo edhe gjyqtarëve të ndeshjes, me këta të fundit, që gjithsesi janë shoqëruar nga forcat e rendit.

Kamzalinjtë “kryqëzojnë” Zguron

Duhet thënë se ka patur një përplasje mes mbrojtësit Zguro dhe një prej pjesëtarëve të Kamzës pas ndeshjes. Shkak duket se është bërë penalltia e shkaktuar nga lojtari, që çoi në barazimin e Flamurtarit. “Çfarë bëri ai, e patë! Nuk ja falim në asnjë mënyrë. Ai është për turp. Një lojtar i tillë nuk duhet të ketë vend në skuadër”, është shprehur në holl, një nga drejtuesit e Kamzës. Ndërsa pa më herët edhe presidenti i Kamzës ka qenë në dhomat e zhveshjes, sapo ka përfunduar ndeshja dhe ka patur debat me Zguron. Mbrojtësi ka qenë lojtari i parë i Kamzës, që ka dalë nga dhomat e zhveshjes.

– Momenti i penalltisë për Kamzën është shoqëruar me momente tensioni në stadium. Ndaj gjykimit, ka patur protesta, ndërsa ka ndërhyrë policia teksa ka vërejtur edhe një tifoz që ka goditur drejt Zguron. Vetë tifozi është larguar i shoqëruar nga uniformat blu jashtë stadiumit.

– Mosaktivizimi i Bushiçit ka sjellë jo pak habi para ndeshjes. Kroati nuk ka qenë i pranishëm as në stadium, ndërsa shkak është bërë gjendja e tij shëndetësore. Sulmuesi ka vuajtur temperaturën e lartë gjatë mbrëmjes së ditës së martë dhe të mërkurë, çka ka bërë, që të mos jetë në gjendje për të luajtur. Në të njëjtën gjendje është edhe Nedejlkoviç, i cili nuk ishte grumbulluar nga Duro për këtë ndeshje.

-Në pushimin mes pjesëve, Idrizi, administratori i Flamurtarit është ndalur te disa tifozë, të cilëve u ka kërkuar të mos shanin arbitrat. Por nga këta të fundit është kërkuar të ndërhyhet, pasi Flamurtarit po i bien në qafë. “Çfarë të bëjmë tani? Do të presim fundin e kampionatit. Atëherë do të shihni çfarë do të bëjmë. E dimë situatën, por nuk kemi çfarë të bëjmë, fjalët po na mbarohen. Prisni deri në fund të kampionatit, por mos shani drejt arbitrave”, ishin fjalët e Idrizit.

– Sapo ka përfunduar ndeshja, Shpëtim Duro i është drejtuar gjyqtarit të katërt: “Prekjen me dorë te rasti i Alveshit ishte penallti”. Ndërkohë që gjyqtari i është kthyer: “Nuk e pashë”. Duro ka kërkuar shpjegime dhe nga vëzhguesi dhe delegati i takimit, ndërsa në fund ankesën e tij e ka mbyllur me fjalinë. “Ky është skandal or burrë”.

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.