Notat e Shqipërisë/ Me Strakoshën si “pa portier”! 4 duket shumë për Hysajn, yjeve të mëdhenj të Kombëtares i jep leksione Ajeti i Serisë C

Nga Klaudio Ndreca

Notat e Kombëtares për lojtarët që e nisën ndeshjen nga minuta e parë

Strakosha (4): “Në një ndeshje si kjo me Izraelin, ku portieri kundërshtar pret dy gola të sigurt, me Strakoshën në portën tonë, dukeshim praktikisht si të ishim…pa portier. Sigurisht, nuk mund të evitonte asnjë nga golat e pësuar. Nuk mund të presim mrekulli dhe as magji, por jo mungesën e sigurisë me disa ndërhyrje elementare. Strakosha e kishte humbur busullën, dallohej qartësisht frika në një ndeshje të tillë. Asnjë top i kontrolluar me qetësi, të gjithë përfundonin në grushtime paniku dhe duke u lutur që topi të mos i shkonte lojtarit të Izraelit. Për pak e pësojmë një gol në mënyrë të tillë. Qetwsinw qw e shfaq nw pamje tw parw, nuk e reflekton nw fushw. Nuk është ky Strakosha që ne presim për garancinë e së ardhmes”.

Ajeti (6.5): “Logjikisht e pamundur, një lojtar i Serisë C që u jep leksion “yjeve të mëdhenj” të Kombëtares që vijnë nga kampionatet më të mira në Europw. Fizikisht nuk mund të kalohej, dukej i njëjti ashtu si edhe në Europianin e Francës, në kohën e De Biazit. Ka zgjuarsinë për të kuptuar se kur kundërshtari duhet të ndalohet dhe ia arrin gjithmonë pa faull. Si një veteran në fushën e blertë, ishte ndoshta surpriza më e madhe e mbrëmjes. E gjithë karriera që i shkoi për dreq në mënyrë të çuditshme pas atij shkëlqimi me Kombëtaren ishte thuajse imagjinare me Ajetin që pamë në fushën e blertë”.

Ismajli (6): “Ndeshje në nivel e Ardian Ismajlit. Është kaq shumë për t’u vlerësuar fakti se në linjën tonë të mbrojtjes gjithmonë e pësojmë një gol për shkak të një gabim individual të Hysajt, Kumbullës apo edhe Gjimshitit siç ndodhi në ndeshjen e parë, por asnjëherë për fajin e Ardian Ismajlit”.

Balliu (5): “Luajti vetëm për 45 minuta, por nuk ishte në shkëlqimin që të gjithë e prisnim. Megjithatë dallon qartazi nga krahu tjetër, kundërshtarët nuk sulmojnë shpesh nga krahu i djathtë. Ka pasime inteligjente, këtë herë e merr më pak krahun në sulm, ndryshe nga ajo magji me Spanjën’.

Hysaj (4): “Edhe 4 është një vlerësim, gjithsesi, për Hysajn duket i tepërt. Sërish duket e pamundur sesi një lojtar që është në qendër të vëmendjes për shkak të kritikave dhe me shiritin e kapitenit në krahë, të vazhdoj dhe të jetë në të njëjtin nivel. Humbet edhe pikën e tij më të fortë, mbrojtjen. Dukemi si një shtëpi pa çati që fut ujë ngado. Cdo krosim i Izraelit vinte nga krahu i Hysajt, shpeshherë Ajeti i tregonte me dorë se duhej të futej dhe të bllokonte qoftë edhe një krosim. Por jo, çdo dëshirë e Izraelit për të krosuar përfundonte në zonë. Pjesa e sulmit dhe krosimeve që vijnë nga mbrojtësi shkodran, nuk ka nevojë për shumë koment, janë gjithmonë qetësi për rivalin. Në të tilla performanca të përsëritura ajo që urohet është zbulimi i një elementi për krahun e majtë të mbrojtjes, Hysaj ka nevojë për një “dush të ftohtë”.

Asllani (4.5): “Pak kohë me Kombëtaren, por vjen me pritshmëri të mëdha, nga Interi. Nuk po shohim ende asgjë prej aftësive që zotëron vërtet djaloshi me fanellën e kuqezinjëve. Izraeli na dominon mesfushën, nuk vjen asnjë pasim që realisht të rrezikojë dhe të nxjerrë blof vendosjen e rivalit. Është shumë i thjeshtë, por këtë herë thjeshtësia nuk është për t’u vlerësuar. Në një mesfushë që ka vetëm lojtarë shkatërrues ishte detyra e Asllanit për t’u ngritur në nivelet më të larta. Nuk vjen as këtë herë”.

Laçi (6.5): “Më i miri i takimit, së bashku me Ajetin. Dallon qartë ky lojtarë që luan me zemër. E gjen kudo, nga mbrojtja në mesfushë dhe në sulm. Në pjesën e parë na shpëton mirë duke i treguar të tjerëve “artin e mbrojtjes”. Tërheq pak nga fanella kundërshtarin, mjaftueshëm sa për ta penguar dhe aq sa kërkohet që të mos akordohet penallti. Kështu Izraelit iu sfumua një shans i artë për të na ndëshkuar. I vetmi që fiton shumë duele dhe nuk e humbet kurrë energjinë”.

Abrashi (5.5): “Abrashi zhgënjen rrallëherë me Kombëtaren. Megjithatë në ndeshjet e fundit me Shqipërinë shihet gjithmonë me minuta të kufizuara. Ashtu siç ndodhi edhe sot, ku më tepër është parë në nisje të takimit dhe në nisje të pjesës së dytë, për 15 minuta. Nuk është e mjaftueshme dhe kjo shihet qartë pasi u zotëruam në mesfushë”.

Gjasula (6): “E nis si mesfushor dhe mbërrin si mbrojtës qendre. Ka shumë klas në ndërhyrje dhe me përdorimin e trupit për të marrë topin, alla “Sergio Busquets”. Të duket e vështirë për t’u besuar se ky lojtar nuk është pjesë e nivelit më të lartë të futbollit bazuar në performancën me Kombëtaren. Përgjigjet mirë edhe si mbrojtës qëndre”.

Cikalleshi (4.5): “Nuk ishte mbrëmja e Sokol Cikalleshit. U pa tërësisht jashtë forme, asnjë koordinim me portën, përveç një goditje me kokë në pjesën e dytë që i shkoi afër golit. Pjesa tjetër është për t’u harruar. Ndryshe nga herët e fundit, Cikalleshi dukej shumë i lodhur dhe jo energjik. Një vlerë që e ka pasur gjithmonë për të vendosur në vështirësi kundërshtarët. Kjo ishte nata jonë finale dhe mendohej se kjo energji do të dyfishohej, por në fakt ndodhi e kundërta”.

Broja (5.5): “Kaq e vështirë për të ndarë performancën e Armando Brojës pas një ndeshje të tillë. Dukej qartë se minutat e pakta me Chelsea kanë ndikuar në të. Nuk e kishte humbur energjinë dhe idenë për të dribluar, ishte po i njëjti. Por nuk ishte i njëjti kur bëhej fjalë për të shënuar para portës, gabon në dy raste të pastra për shënim. Gjithsesi nota nuk mund të ishte e ulët për të duke marrë parasysh faktin se mesfusha ishte tmerrësisht shumë larg mbështetjes së sulmuesve. Këto raste u krijua po prej këmbëve të Brojës që për fatin tonë të keq nuk ishte në ditën e tij më të mirë, në një finale për Shqipërinë. Dukej hequr mundësitë e sipërpërmendura, Shqipëria kishte edhe një rast tjetër të vetëm për të shënuar kur rezultati ishte 1-0 dhe Izraeli kishte lëshuar disi për t’u kthyer në mbrojtje. Tifozët kërkojnë më tepër grintë dhe dëshirë, futbolli nuk është vetëm një lojë për ne. Djaloshi duhet ta kuptojë se çfarë peshe po i vendos kombi me dashurinë që ka për të”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online