Notat e Shqipërisë/ Ku ke qenë…Ivan Balliu? Elseid Hysaj i rrit tensionin tifozëve, mos i prekni numrat magjistarit Broja!

Nga Klaudio Ndreca

Sport Ekspres” ka bërë një vlerësim sa i përket lojtarëve të Shqipërisë kundër Spanjës. Duke marrë lojtarët një për një, kemi vendosur notat e tyre vetëm sa i përket 11-shes titullare që u zgjodh nga Reja. Më të mirët e takimit janë përzgjedhur Berat Gjimshiti, Ivan Balliu dhe Armando Broja që iu përgjigjen niveleve më të larta.

Etrit Berisha (5.5): “Ndeshje e mirë e Etrit Berishës. Na shpëton nga një gol kur sheh goditjen me finte të kundërshtarit dhe di si të reagojë për të evituar “turpërimin”. Shfaq siguri me ndërhyrjet e tij, i ndihmuar edhe nga mbrojtja që i la pak punë për të bërë. Loja me këmbë vazhdon të jetë pika më e dobët e Berishës. Nuk kishte se çfarë të bënte në dy golat e pësuar, megjithëse në rastin e Dani Olmos, menjëherë pas nxjerrjes së topit përpara, këndi se ku do të shkonte topi ishte i kuptueshëm. Nëse do të ishte pak hapa më mbrapa dhe të kishte nuhatjen e duhur në atë rast, mund të përsëriste një nga ato mrekulli që i realizoi kundër Interit, për t’u futur në histori me Shqipërinë. Praktikisht do të kishte vlerën e golit dhe vetë Berisha e kuptonte, ndeshja nuk mund të mbyllej me golin e Uzunit, kaq lehtë. Por nuk është faj të mos jesh “superheroi”.

Marash Kumbulla (5.5): “Ndeshja në tërësi ishte e mirë, por episodet vendosën ndeshjen. Dy gola të shënuara nga Spanja dhe në të dy rastet, Kumbulla ishte protagonist negativ. Në të parën guxon shumë me pasimin për te Bare duke luajtur në zona të ngushta, mes shumë lojtarëve të Spanjës dhe afër mbrojtjes tonë, e pësojmë aty. Në rastin e dytë, nuk qëndron në të njëjtën linjë me mbrojtjen për të nxjerrë Jordi Alban në pozicion jashtë loje. Një moment ku nuk ishte i fokusuar dhe jemi ndëshkuar. Gjithçka tjetër ishte për t’u vlerësuar, por golat erdhën për shkakun e këtyre gabimeve”.

Ardian Ismajli (6): “Për t’u përgëzuar! Besojeni ose jo, por mbrojtësi që nuk po preferohet në fushë nga trajneri i Empolit prej shumë ndeshjesh, futet në fushë dhe arrin të përballojë lojtarët e Spanjës. Trajneri Enrique nuk ishte kursyer aspak duke hedhur të gjithë yjet në fushë dhe Ismajli u përgjigjet me të njëjtën monedhë. E nis ndeshjen me pak nervozitet, po rritet me kalimin e minutave”.

Berat Gjimshiti (7): “Te Atalanta mund të ketë pasur disa luhatje dhe dallgë në këtë sezon të ri, por te Shqipëria nuk njeh ndryshim. Një mur i vërtetë që është e pamundur ta thyesh. Ka inteligjencën e duhur për të kuptuar se kur duhet të ndërhysh te kundërshtari dhe kur duhet ta lësh të lirë. Impostohet me fizikun e tij ndaj lojtarëve që i përkasin shkollës së futbollit të Barcelonës. Nëse i jepje fanellën e Spanjës në qendër të mbrojtjes, Pau Torresi do të ishte në stol para tij”.

Elseid Hysaj (5): “Na “drithëron” dhe i rrit tensionin tifozëve shqiptarë që në pjesën e parë. Dy lojtarë të Spanjës duke i bërë presing dhe Hysaj i vetëm në mbrojtjen e Shqipërisë, ka sërish guxim të madh për të kërkuar driblimin. I njëjti problem që përsëritet dhe nuk gjen shërim. Luan mirë kur kthehet të luajë thjeshtë, për të mbyllur detyrat e tij dhe pa tentuar “mrekulli” dhe spektakël. Në momentin që kërkon qëndrën e vëmendjes, e djallos punën. Ndoshta është më mirë që të mos kërkojë që të marrë Shqipërinë mbi shpatulla pavarësisht eksperiencës, mjafton të bëj detyrat”.

Klaus Gjasula (6): “Mund ta kritikojnë dhe të kërkojnë disa gjëra ndryshe prej tij, por Klaus Gjasula nuk të zhgënjen kurrë. Nëse trajnerit të Spanjës do t’i komunikoje emrin e ekipit që luan Gjasula, pa e parë më herët, nuk do ta besonte dot”.

Keidi Bare (6): “Sigurisht që goli i parë i Spanjës peshon shumë për të, që të meritonte një notë më të lartë. Me shpinë nga kundërshtarët, ishte e pritshme që ajo situatë të ndodhte pas pasimit të marrë nga Marash Kumbulla. Por në mesfushën kuqezi që i mungonte kreativiteti, ishte i vetmi që kishte besim më tepër me topin në zotërim. Gjithashtu e kishte të qartë idenë se sfera duhej të dërgohej vetëm në këmbët e Armando Brojës me topa të gjatë nga mbrojtja, për t’ia lënë pjesën tjetër të punës “magjistarit”.

Qazim Laçi (5.5): “Një ndeshje pozitive për mesfushorin e Ajaccios. Përpiqet dhe luf.ton shumë, ka grintën e duhur për të mbajtur edhe pak nga identiteti i Shqipërisë tonë që të jemi agresiv ndaj kundërshtarit. Por në sektorin e mesfushës kishte të bënte me yjet e futbollit europian, nuk duhet ta harrojmë”.

Ivan Balliu(6.5): “Ivan…ku ke qenë më herët? Nëse ka një fitore të madhe nga transferta me Spanjës është Balliu. Kjo ishte prova e parë e vërtetë për të parë mbrojtësin që luan në La Liga, sesi do të ishte në fushën e lojës. Krahu i djathtë gjen qetësi me të, i dhuron Sarabia-s mbrëmjen më të errët. Është në nivel të lartë dhe e dëshmon se po kalon një super formë në Spanjë. Për t’u duartrokitur edhe sa i përket driblimeve, nuk ka kufizime”.

Sokol Cikalleshi (5.5): “Vjen nga një super formë te Konyaspor. Kërkon të lu.ftojë dhe të jap maksimumin nga vetja për të ushtruar presion te mbrojtësit e Spanjës, Armando Broja duhej të kursente energjitë për momentet e kundërsulmit. Nuk arrin të shënojë në pasimin e fortë të Brojës, që nuk kishte koordinata të sakta. Ndeshje mesatare e Cikalleshit, nuk ishte i kënaqur edhe vetë me performancën e tij teksa u ndërrua nga Reja”.

Armando Broja (7): “Magjistarit, nuk duhet t’i prekësh numrat e tij. Reja e këshilloi gati në kër.cënim se nëse zgjidh individualisht situatat, atëherë do të bënte gabimin më të madh, pasi Spanja nuk është momenti i duhur. Por peng nga kjo ndeshje do të jetë pikërisht këndi kur Broja kërkoi të pasonte për te Cikalleshi, në një pozicion thuajse edhe më të vështirë shënoi ndaj Hungarisë. E ka treguar edhe te Southampton, Broja e ka të pamundur që të jap asist, është një sulmues i lindur për të shënuar dhe jo për të pasuar. Lojtari që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë dëshmon vlerat e tij. Kur Spanja i fshehu topin kuqezinjëve në pjesën e parë, e vetmja mënyrë sesi dilnim përpara ishte një top për te Broja. Pa të në fushë, mund të kishim harruar edhe ngjyrën e fanellës së portierit”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *