Notat e lojtarëve/ Strakosha e jep qetësinë vetëm kur përtyp çamçakëzin, Mihaj dhe Asani na befasuan, Uzuni nuk e sjell dot Granadan te Shqipëria

Vlerësimet e lojtarëve të Shqipërisë për ndeshjen me Poloninë nga “Sport Ekspres”

Thomas Strakosha (4.5): “Për shkak të rezultateve të kohëve të fundit, Shqipëria e Silvinjos dukej sikur po shkëlqente në Varshavë dhe ne mund ta quajmë mbrëmje të madhe, pavarësisht humbjes, Kombëtarja u kthye. Por bashkë me të, edhe pasiguritë e Strakoshës. Kërkon të transmetojë qetësi me pamjen e tij të parë, por kurrsesi nuk e paraqet në fushë, e shfaq vetëm kur përtyp çamçakëzin me ftohtësinë e një nordiku dhe tregohet kaotik si ballkanas kur vjen momenti i rrezikut. Te goli i pësuar mund ta lexonte më mirë situatën, e vetmja mënyrë sesi kundërshtari mund të shënonte në atë rast, ishte pikërisht mënyra sesi ndodhi, Strakosha nuk e priste. Gafën fatale e bën në daljen kundër Leëandoëskit, kur afër sulmuesit gjendeshin shumë nga mbrojtësit tanë, Mihaj na shpëtoi nga goli i dytë. Në fund, kur Kombëtarja kërkonte të mos gabonte në asnjë pasim në ato minuta të mbetura, Strakosha gabon jo pak në lojën me këmbë. Nga ana tjetër Shezni përveshi mëngët dhe u shndërrua në heroin e ndeshjes. Diferencat mes dy portierëve ishin të frikshme”.

Mihaj (7.5): “Befasia e madhe e mbrëmjes. Kur pamë formacionin, të gjithë u frikësuam për qendrën e mbrojtjes. Pas mungesës së Gjimshitit dhe Ismajlit, Mihaj mori vendin e titullarit. Shkëlqeu dhe luajti thuajse në perfeksion, pavarësisht se përballë tij kishte lojtarë të nivele më të mira europiane. Gaboi fare pak, për të mos thënë aspak, madje bëri ndërhyrje me vlerë goli të shënuar kundër Leëandoëskit. Mbrëmje ideale, sa keq që ka konkurrencë të ashpër në mbrojtje për vazhdimësinë”.

Kumbulla (7): “Arrin sërish që të ndalojë Leëandoëskin. Pavarësisht se te Roma nuk transmeton siguri, te Kombëtarja di të shndërrohet në Kumbullën e Veronës. Luan thjesht dhe nuk i komplikon situatat si në kohën e Rejës në Varshavë. Gjysëm note më pak për mënyrën sesi u kalua nga Leëandoëski në rastin ku Mihaj na shpëtoi nga goli i dytë. I vetmi rast që Leëandoëski e kalojë, për pak rezultoi fatale”.

Hysaj (6.5): “Skema e Rejës bëri që për një kohë të gjatë, Elsi Hysaj të ishte më i kritikuar te Kombëtarja. Ky futbollist nuk e ka në aftësitë e tij që të ndihmojë ekipin në fazën sulmuese. Por nëse flitet për atë mbrojtëse, ia del më së miri nëse zgjedh të luajë thjeshtë. I bën të gjitha detyrat mbrojtëse në përsosmëri kundër polakëve, gabon pak në pasime dhe sigurisht që Silvinjo e shpëton me skemën e re, për të mos dalë zbuluar në ofensivë. Ndeshje e mirë”.

Balliu (6): “Paraqitje pozitive e Balliut, por jo ajo e pritura. Nëse Hysaj është i limituar në fazën sulmuese, Balliu është e kundërta e shkodranit. Ai i ka mundësitë për të dërguar krosime të rrezikshme në zonë dhe për të hapur panik në mbrojtjen kundërshtare. Nuk e bëri shumë gjatë ndeshjes së djeshme”.

Gjasula (7): “Një nga më të mirët e ndeshjes. Vinte nga një dëmtim i gjatë dhe pak minuta në këmbë, por i përgjigjet sërish niveleve të larta. Në pjesën e parë fiton shumë duele dhe largon nga zona topa të rrezikshëm që mund të kishin përfunduar në rrjetë. U venit pak në pjesën e dytë edhe për shkak të rënies së fizikut dhe mungesës së minutave nga dëmtimi. Por pa Gjasulën, kjo Shqipëri nuk merr kuptim”.

Ramadani (5.5): “Një pjesë e parë e mirë dhe në të dytën stonon. Besimi i madh i fituar në 45 minutat e para, sjell efektin e kundërt në pjesën e mbetur. 20 minutat e fundit të takimit dukeshin të tmerrshme, Ramadani po gabonte thuajse çdo pasim në momentet vendimtare dhe i jepte shanse Polonisë për t’u nisur në kundërsulme. Një hap mbrapa shokëve të repartit”.

Asllani (6.5): “Ndeshje me dy fytyra dhe ajo e Asllanit. Në 45 minutat e para ishte në hije, bëri pak për të krijuar raste të rrezikshme, por dha disa pasime që shfaqnin klasin në këmbët e tij dhe që asnjë mesfushor tjetër i Shqipërisë nuk mundej dot t’i përsëriste. Në pjesën e dytë e ngriti shumë nivelin dhe iu afrua golit, për fat të keq Shezni e ndali. Duke parë edhe minutat e pakta te Interi, Asllani iu përgjigj pritshmërive”.

Asani (7.5): “Ishte basti i Silvinjos, befasia e Varshavës. Asani na ka lënë të gjithëve pa fjalë me mënyrën sesi u paraqit në fushë. Në 20 minutat e para, Shqipëria u shfaq e rrezikshme vetëm në krahun e tij. Pavarësisht ekipeve ku ka luajtur dhe ku ndodhet aktualisht, Asani mund të driblonte i vetëm të gjithë ekipin e Polonisë. Kundërshtarët e ndalojnë shumë herë me faull për shkak të veprimeve të tij të papritura me topin dhe kështu Shqipëria dilte përpara për t’u bërë e rrezikshme. Edhe në pjesën e dytë, pavarësisht rënies së formës, sërish kuqezinjtë luanin më tepër në krahun e Asanit. Mund të futej më tepër në afërsi të zonës për t’u bërë i rrezikshëm, por Balliu e mbështeti pak në krahë. Minusi i tij i vetëm është fiziku”.

Uzuni (6): “Ndeshje mesatare për Myrto Uzunin. Vinte me 20 gola të shënuara nga La Liga 2 dhe të gjithë prisnin që të merrte për herë të parë mbi supe Shqipërinë. Nuk ia doli dot as në Varshavë. Forma e mirë që po kalon u tregua vetëm në besimin që kishte në vete, për të dribluar kundërshtarë dhe për të fituar duele me polakët. Por loja u zhvillua më tepër në krahun e Asanit se të Uzunit. Gjithashtu nuk arriti të koordinohej dot me portën siç jemi mësuar ta shohim te Granada, duke shpikur gola nga hiçi. Shqipëria është një histori tjetër”.

Cikalleshi (7): “Për t’u vlerësuar puna e madhe e Cikalleshit. Sulmuesi matet me gola dhe me rrezikshmëri në portën kundërshtare. E parë vetëm në këtë këndvështrim, Cikalleshi do të vlerësohej pak, duke hequr vetëm predhën e lëshuar në pjesën e parë me të majtën. Por lojtari po bënte punë të madhe në mesfushë duke fituar thuajse çdo duel me trup me kundërshtarët polak. Arrinte në mënyrën më të mirë për të nxjerrë topin për shokët e ekipit që të dilnin përpara. Në pozicionin që ishte dhe rolin që u caktua nga Silvinjo, jo vetëm që Cikalleshi nuk mund të bënte më tepër, por askush nga pjesa tjetër e futbollistëve të Shqipërisë nuk mund ta bënte punën më mirë se ai”.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online