Notat e Kombëtares/ Hysaj dhe Manaj ishin “oksigjeni” i Gjeorgjisë! Thjeshtësia e Asllanit e bën lojtarin e ndeshjes, nëse do ishte tjetër lojtar në vendin e Brojës…

Nga Klaudio Ndreca

Strakosha (pa notë): “Ka shumë pak raste për të testuar veten, nuk ka as presing nga kundërshtarët për të vlerësuar të paktën lojën me këmbë. Nëse do të kishte një vlerësim, do të ishte i dobët dhe kjo jo për fajin e tij, por se nuk kishte punë për të bërë. Më e drejtë të qëndrojë…pa notë”.

Gjimshiti (6): “Tani është bërë e udhës dhe nuk ka asgjë të re. Berat Gjimshiti është gjithmonë shtylla e mbrojtjes të Kombëtares. I vetmi nga treshja e prapavijës që provon të dalë përpara dhe t’i jap më shumë edhe fazës së sulmit përgjatë pjesës më të madhe të kohës”.

Kumbulla (5.5): “Në pjesën e parë vihet re më shumë me ndërhyrjet e tij të sakta. I fiton duelet në lojën në ajër dhe me vendosjen fizike të tij. I lë shumë pak hapësira kundërshtarit, megjithëse nuk kishte emra të frikshëm përballë tij”.

Ismajli (5.5): “Qëndron në të njëjtën lartësi me Kumbullën. Nëse ky i fundit vihet re më shumë në të parën, Ismajli thirret më tepër në apel në të dytën. Në minutat e fundit futet edhe Ardiani për të ndihmuar fazën ofensive të Shqipërisë, në mbrojtje nuk kishte më kuptim të rrinte pa asnjë fanellë të kundërshtarit”.

Ramadani (4.5): “Nuk ishte ndeshja e Ramadanit. Shquhet për pasime të sakta, por këtë herë nuk kishin efikasitet të njëjtë. I mungonte fantazia dhe Kombëtarja vuante pikërisht në këtë aspekt, ndaj Gjeorgjisë nuk kërkohej të shkatërroheshin aksione pasi rivali nuk shquhet për ndërtime”.

Asllani (7): “Lojtari i ndeshjes! Testi i vërtetë nuk mund të jetë kjo e miqësore e sotme, e megjithatë mund të krijojmë një ide të saktë rreth këtij mesfushori. Asllani bënte pikërisht atë punë që Kombëtares i duhej. Pasime të thjeshta, por me shumë vlerë, për të qetësuar situatën në disa raste dhe herë të tjera për të shpejtuar aksionin, për të mos e mbajtur topin më kot në këmbë. E gjeje në çdo cep të fushës dhe thuajse e pamundur për të numëruar një pasim të gabuar prej tij në një ndeshje ku shumica e lojtarëve ishin në kaos”.

Cekici (5): “Shumë larg asaj që pritej. Ndeshja e Cekicit ishte për t’u harruar kundër Gjeorgjisë. Supozohej se ky do të ishte shansi i këtij lojtari për t’i treguar Rejës dhe tifozëve se e meriton një vend titullari dhe duhet të llogaritet për takimet e ardhshme. Tenton të marrë kryeqendrën e vëmendjes me mënyrën e kontrollit të topit dhe futjen drejt zonës kundërshtare, por nuk të surprizon aspak dhe është shumë i lexueshëm. E vetmja mundësi e artë ishte rasti i humbur kur u gjend përballë portierit pasi kishte dribluar një mbrojtës, me koordinimin për t’u harruar. Nëse nuk arrin të jetë protagonist as në një miqësore kundër Gjeorgjisë, problemi është i madh”.

Hysaj (4.5): “Ka ndeshje që Hysaj e ka harruar nivelin e lartë. Një tjetër përballje ku Elseidit i kërkohet që të bëjë atë që nuk di, ndihmën e fazës sulmuese. Tenton të driblojë një kundërshtar, por e vetmja gjë që arrin është qëndrimi në vend mes disa lëvizjeve që supozohet të “trullosin” rivalin. Në momentin kur vijnë dy lojtarë kundërshtarë, Hysaj rri sërish me topin në zotërim dhe kërkon ende një driblim që nuk vjen kurrë për të humbur sferën. Më pas kthehet në oksigjenin e Gjeorgjisë për t’i shkaktuar faull rivalit pas topit të humbur, ndërsa Shqipëria po ushtronte presion për të gjetur golin e avantazhit. Krosimet e tij janë tërësisht për t’u harruar dhe nuk kanë asnjë sens llogjik, është thuajse e pamundur që me aq topa sa Elseidi fut në zonë, asisti i tij i fundit me Kombëtaren daton shumë kohë përpara. Ndërsa Ivan Balliu futi vetëm dy topa drejt zonës me Spanjën dhe njëra ishte më e rrezikshme se tjera. Një panoramë e përsëritur prej kohësh, por shkodrani është me fat që në pozicionin e tij nuk ka një konkurrent dinjitoz për t’i marrë vendin e titullarit. Nëse Ivan Balliu luan në të djathtë, në të majtë nuk mund të futet askush tjetër përveçse e Hysajt për shkakun e fazës mbrojtëse, atje vlen. E keqe e domosdoshme duket në këtë pikë”.

Roshi (6): “Raketa” ndizet gjithmonë te Kombëtarja. Vite e vite do të kalojnë, imazhi i Roshit do të mbetet i njëjti. Ishte i vetmi që driblonte dhe i shkaktoi dhimbje koke gjeorgjianëve. Nëse kishte një lojtar që mund të befasonte realisht në fushë, bëhej fjalë për Odisen. Problemi i tij mbetet i njëjti: “Minutazhi”. Thuajse e pamundur që Roshi të mbajë më shumë se 45 minuta në të njëjtin rendiment. Nëse në të parën ishte ylli i ndeshjes, në të dytën “zhduket”. Lodhja ndikon dhe ul përqendrimin edhe në detyrat mbrojtëse që nuk i rrin përshtat. E stopon topin në perfeksion për lojtarin kundërshtar në një moment dhe rrezikon t’i jap asist pasi shihet qartë se pjesa e parë e ka konsumuar tërësisht”.

Broja (4.5): “10.000 tifozë kishin shkuar në “Air Albania” për të parë Shqipëri-Gjeorgji, 9.000 prej tyre dëshironin që të shihnin Armando Brojën. Me prekjen e parë të topit nga ana e tij nisnin edhe ovacionet e tifozëve. Shumë e kërkuan dhe dëshiruan shpërthimet e tij, por Broja qarkullonte vetëm si emër në fushë, nuk hyri për asnjë moment realisht. Impenjimi nuk ishte maksimal dhe me një kundërshtar të ngjeshur prapa, nuk mund të kishte panoramë tjetër. Çdo lojtar tjetër që do të ishte në vendin e Brojës dhe nëse do të bënte të njëjtën përformancë si ndaj Gjeorgjisë, do të p.ushkatohej. Por “djaloshit të artë” i falen gabimet në miqësore për hir të së ardhmes, varemi në këmbët e tij”.

Manaj (5): “Ndryshe nga Broja, Manaj shfaqet në fushë dhe thuajse për 45 minutat e para dukej sikur Shqipëria po luante me një sulmues. Rei ishte i vetmi që po bënte repartin sulmues ndaj Gjeorgjisë dhe në minutat e para ishte më shumë sesa positiv. Karakteristika më e fortë e këtij lojtari është forca fizike dhe mënyra sesi e përdor trupin për të mposhtur kundërshtarët. Dha disa shkëndija entuziazmi me kalimet e tij, por më pas është i kufizuar, nuk bën dot më tepër. Me kalimin e minutave nis “pikiata”. Ashtu si Hysaj nis ta teprojë me mbajtjen e topit dhe kur lojtarët e Gjeorgjisë arrijnë që t’ia marrin, Manaj i godet në mënyrë të palejuar duke i dhuruar faullin që për ta ishte si oksigjen. Ka krijuar idenë se është tipi sulmuesi që duhet hedhur në fushë kur je në avantazh dhe do të fitosh kohën, por kurrsesi kur duhet të kërkosh golin e parë”.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online