Nga Klaudio Ndreca
Sport Ekspres ka bërë vlerësimet sa i përket ndeshjes së fituar nga Shqipëria kundër Armenisë me shifrat 2-0. Këtë herë kemi zgjedhur që të japim notat vetëm për lojtarët që e nisën nga minuta e parë, por për të rinjtë. Sigurisht, nuk është ky takimi për të vlerësuar Berishën apo Kumbullën. Nga krahu tjetër, notave për të rinjtë i bashkohet Asllani si njeriu i ndeshjes.
Adrian Bajrami (6): “Shqipëria është në duar të sigurta. Të mbushet zemra me kënaqësi kur shikon djem të rinj si Bajrami që është pjesë e U-21 të Benfikës. Armenia nuk është njësi matëse për futbollistët zakonisht, por për Adrianin mund të quhet pasi luan gjithmonë me të rinjtë. Këtë herë tregoi se është gati për t’u përgjigjur edhe nivele të tilla, në futbollin e të rriturve. Paraqet dukshëm më shumë siguri dhe bën ndërhyrje më decizive sesa Mihaj, që ka disa vite më shumë mbi kurriz. Gjithçka e zgjidhi në mënyrë perfekte”.
Enis Cokaj (6.5): “Ka luajtur pak herë te Kombëtarja, në të shumtën e rasteve ka zhgënjyer. Te U-21 ky lojtar krahasohej me Amir Abrashin për mënyrën e lojës së tij, por të njëjtën gjë nuk e kemi parë te Shqipëria A. Kështu nisi edhe ndeshja e sotme, ku mesfushori u tregua pak kaotik dhe na rrezikoi me një humbje topi në mesfushë. Më pas e ngre nivelin dhe më pas asisti i dhënë për Skukën ishte nivel tjetër. Ndoshta për një specialist të huaj, mund të duket gjëja më e thjeshtë në botë, por për ne shqiptarët, duket se ky lojtar i përket një tjetër planeti. Cokaj, a je i sigurt që je shqiptar? Me kaq shumë sa kemi parë në kohët e fundit dhe madje kundër Italisë, çdo lojtar tjetër i Kombëtares do të kishte bërë një “vrimë në ujë” duke tentuar vetë portën: “E bëj vet golin”. Cokaj na tregon sesi luhet futbolli”.
Hadroj (6): “Ndeshje e mirë dhe paraqitje pozitive edhe për Hadrojn. Është ky lojtari që u preferua nga Reja për të ulur në stol Elseid Hysajn. Vlerësim i madh nga trajneri italian, por i merituar për mbrojtësin që ka spikatur te Partizani. Që në momentin e himnit dallohej gjakftohtësia e tij, si të mos ishte ndeshja e parë me Kombëtaren para syve të tifozëve. E nis menjëherë me sparkatat e sakta, mbylljet e duhura. Trajneri italian i sygjeroi që të punojë më tepër në aspektin teknik. Punë ka ende përpara, por baza është e mirë, dallohet qartazi”.
Asllani (9): “Profesori 20-vjeçar u tregon të rriturëve se janë ngelës në klasë. Të linte mbresa, ishte fantastik, nuk ka fjalë për ta përshkruar. E kishim pritur gjatë, erdhi, fatkeqësisht kundër Armenisë. Pikërisht ai tip lojtari që nuk e kemi pasur kurrë në Kombëtare, por e shikonim çdo herë në nivelet më të larta të futbollit botëror. Pasime nga zona e Shqipërisë te ajo e Armenisë me saktësi kirurgjikale, thuajse nga porta në portë. Sjell golin e parë me pasimin e tij dhe shënon të dytin me penallti. Pa Asllanin në fushë, do të silleshim të gjithë rreth topit dhe pa ide. Mesfushori i Interit kërkoi që të mbante Kombëtaren mbi supe pas ndeshjes me Italinë. Ia falim çelësat dhe rrimë të qetë, por me një kusht, të jetë si sot”.
Skuka (7): “Një super ndeshje nga Skuka. Trajnerin Reja e befasoi që me ato pak minuta aktivizimi me Italinë. Që të tentosh rroveshatën dhe të dali kundër axurrëve me vetëm një minutë lojë, duhet të kesh personalitet dhe gjakftohtësi. Kaq pak i duhej për të marrë vendin e titullarit kundër Armenisë. Arbitri i mohoi penalltinë në minutat e para, por nuk mund t’i hiqte dot golin e parë me fanellën e Kombëtares. Paraqiti rrezikshmëri me driblimet e tij dhe idenë për t’iu afruar zonës. Mëkat që shpërdoroi dopietën në momentin që uli pak përqendrimin dhe vëmendjen”.
Muçi (5.5): “Ka shumë talent në këmbët e këtij futbollisti, shumë. Askush nuk e di ende të vërtetën se përse Ernest Muçi nuk po arrin kulmin e karrierës, por shfaq luhatje drastike te Legia e Varshëvës në çdo sezon. Të gjithë e kërkojnë te Kombëtarja, por lojtari ka shumë dritë hije në performancat e tij. Nuk mjafton të shënosh një super gol nga distanca për të qenë pjesë e ekipit kombëtar, është realisht pak. Sot e tregoi në disa raste se ka shumë potencial në këmbë, por pa arritur të lërë gjurmë, skenën ia vodhi Skuka”.