Notat e Kombëtares/ Doka të bën që të harrosh Hysajn, Cikalleshi si “Sadiku i artë” dhe kjo “kalaja e Beratit”

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria arriti që të fitonte në shifrat 3-2 kundër Bjellorusisë duke marrë tre pikët e vlefshme që e nxorën si kryesuese të grupit.  “Sport Ekspres” ka bërë edhe vlerësimin sa i përket formacionit titullar që u vendos nga trajneri Reja. Më i miri i takimit përzgjidhet Sokol Cikalleshi që vendosi edhe këtë triumf, për të vazhduar me Ledian Memushajn që është një shembull për talentet e rinjë që të qëndrojnë me këmbët në tokë dhe padyshim pa harruar Berat Gjimshitin, njeriun që tanimë po mban gjithë peshën në prapavijë.

Berisha (4.5)- “Ndryshe nga ndeshja kundër Kazakistanit, nuk shfaq pasiguri dhe asnjë prej dy golave të pësuara nuk vjen për shkakun e gafave të tij. E pamundur që të bëj heroin dhe të evitojë një prej realizimeve të kundërshtarëve. Por këto ishin mundësitë e vetme që u krijuan për të rrezikuar seriozisht portën tonë”.

Gjimshiti (7): “Berati ynë u kthye, ndodhi ajo që të gjithë prisnin! Më herët mbrojtësi i Atalantës kryente detyrat e thjeshta, por sërish nuk mund të kritikohej, pasi nuk gabonte. Por ajo që kërkohej ishte marrja e përgjegjësisë mbi shpatulla tek Shqipëria. Në përballjet e fundit është thjesht më i miri. Qetësi olimpike për të mbyllur kundërshtarin dhe po me një lehtësi të madhe ndihmon manovrën sulmuese. Gjithë eksperiencën e fituar në “Champions League” po e kontribuon në Kombëtare. Vetë fjalët e Rejës i tregojnë të gjithë për performancat e këtij lojtari: “Na mbajti mbrojtjen në këmbë”. “Kalaja e Beratit” është e pathyeshme, me lartësinë që dallon nga të tjerët. E tregon edhe në minutat e fundit duke i dalë për Zot situatave të vështira”.

Veseli (6.5): “Tani po! Kur Reja i bën gati një veshje që i rri përshtat, Veseli duket më bukur. Ndryshe nga paraqitjet skandaloze në krahë, për t’u kthyer në kryeqendër të sulmeve, në rolin që duhet ofron siguri. Bjellorusia nuk ndërton thuajse asgjë për të kapur në befasi mbrojtjen dhe Veseli di të përgjigjet në mënyrën më të mirë. Shpeshherë kritikohet me të drejtë, por nuk duhet harruar se flitet për lojtarin që ka fituar Botërorin me moshat e Zvicrës dhe duke qenë kapiten. Pozicional!”.

Ismajli (5.5): “Nuk ishte dita më e mirë e Ismajlit. Por sërish gjurmët negative vijnë në performancë për shkakun e mungesës së vëmendjes në disa raste, që i kushtojnë Kombëtares, e fatmirësisht nuk ndikojnë në objektivin e realizuar. Pra asgjë që mund të lidhet me mungesën e cilësive të këtij lojtari që e tregon edhe njëherë se në lojën një kundër një është i pakalueshëm. Kërkohet më tepër vëmendje, Ismajli mbetet siguria e Kombëtares, pavarësisht rasteve sporadike të gabimeve”.

Doka (6.5): “Nëse flasim për mënyrën e lojës që kërkon Reja, bën që ta harrosh Hysajn dhe që mbrojtësi shkodran të qëndrojë në stol, nëse bëhet fjalë për një balotazh në krahun e djathtë. Në manovrën sulmuese ka një efikasitet të madh dhe është rreziku konstant i kundërshtarit. Topin e kontrollon në mënyrën e duhur dhe daljet e Dokës kanë gjithmonë efikasitet, ndryshe nga rasti i Hysajt që shpeshherë e tepron me vetëbesimin. Ka ende për të përmirësuar në detyrat mbrojtëse dhe mbetet për t’u parë sesi do të përgjigjet në ndeshjet e mëdha. Por mos të harrojmë, njëri luan te Gorica në Kroaci e tjetri te Napoli. Mund të konsiderohet si një nga fitoret më të mëdha të Rejës në Ligën e Kombeve, përveç vendit të parë në grup. Një zëvendësues i denjë gjendet edhe për Hysajn. Stimuj më shumë për shkodranin”.

Laçi (6.5): “Një nga më të mirët në fushën e lojës. Këmbënguljet e tij në manvorën sulmuese sjellin produktivitet për Kombëtaren. Pasimet janë gjithmonë të duhurat në momentet e fundit dhe kur i afrohemi portës kundërshtare. Reja i dha shumë kohë pasi besonte në cilësitë e tij, Laçi e shpërbleu besimin. Shumë kritika për ndeshjet e para kur fanella e Kombëtares i rëndonte shumë mbi shpatulla, por tani është shkrirë me të. Për t’u përmirësuar në vendosjen dhe duelet e mesfushës”.

Gjasula (6.5): “Nëse dikush iu kujton se Gjasula ka humbur vendin e titullarit në Gjermani dhe po përjeton momentet më të vështira të karrierës në vitet e fundit, nuk do e besonit. Klausi është po i njëjti te Shqipëria si në debutimin dhe ndeshjet e para që fitoi menjëherë dashurinë e opinionit sportiv. Mbetet rregullatori i mesfushës dhe ka mbi shpatulla përgjegjësinë për të thyer bjellorusët. Ia del në mënyrën më të mirë pasi edhe ato pak aksione që krijohen nga kundërshtari vijnë nga krahu”.

Memushaj (6): “Nuk ishte në ditën e tij më të mirë, por eksperienca e Memushaj mund të shpik mrekullira në momentin që askush nuk e pret. I duhet me patjetër Kombëtares ky lojtar. Më shumë krijimtari dhe ndërtim për sulmin e Shqipërisë. Dëshmi e qartë për talentet e reja se fanella e Kombëtares nuk mund të vishet lehtë dhe duhet mposhtur konkurrenca me “gardën e vjetër”. Emrat e ekipeve nga vijnë këta futbollistë të rinjë mund të jenë një tregues, por jo që të vendosin mbi aktivizimin e tyre nëse nuk japin gjithçka për fanellën. Mesi luan për Argjentinën dhe Ronaldo për Portugalinë, asnjëri nuk i përket Shqipërisë”.

Hysen Memolla (6.5): “Kur u publikuan formacionet zyrtare te Kombëtares, i gjithë dyshimi ishte te Hysen Memolla. Po ky lojtar nga doli tani? Hapësira të pakta ka pasur për të marrë vendin e titullarit dhe aktivizohet në një finale, si një zgjedhje e detyruar. Por meriton gjithë vlerësimin për performancën e treguar. Në krahun e tij bjellorusët e kanë të vështirë të kalojnë dhe një gjysmë goli mund të quhet tërësisht i Memollës. Krosimi “i ëmbël” për te Cikalleshi ishte një punë thuajse e kryer, sulmuesi vetëm duhej të drejtonte kokën për ta dërguar topin në vendin e duhur”.

Sokol Cikalleshi (7.5): “Më i miri! Dikur ishte “mallkimi i vetvetes” me shtyllat, tanimë është “mallkimi” i portierëve kundërshtarë. Nuk dihet ende arsyeja e saktë nëse bëhet fjalë për skemën apo eksperiencën e fituar, por me trajnerin Reja ka shpërthyer. Cikalleshi është kthyer në “Sadikun e artë”, për të shënuar në mënyrë konstante te Shqipëria. I fortë në dyluftime dhe ka aftësinë për të tërhequr gjithë ekipin përpara. Nëse Cikalleshi ka topin në zotërim, është një mision thuajse i pamundur për t’ia marrë pa i shkaktuar faull. Po kompletohet edhe me saktësinë përpara portës kundërshtare”.

Manaj (6.5): “Paraqitje pozitive e Rei Manajt që hesht përkohësisht kritikat. Egoizmi i tepruar është shuar disi nga Bjellorusisë. Nuk ka më mbajtje të topit që të nervozojnë. Në momentin që Shqipëria goditet psikologjikisht duke e pësuar në një aksion të dhuruar, Manaj është sërish aty për ta dërguar topin në rrjetë. Dy gola në dy takime të fundit që i japin besimin për të kërkuar edhe një shpërthim te Barcelona B”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *