Notat e Kombëtares/ Dërmaku të çudit dhe më i dobëti me Hysajn! Ishte si një ndeshje Roshi-Andorrë, lojtari që i ka marrë më pak karrierës

Nga Klaudio Ndreca

Strakosha (6): “Në fillim u mendua se do të ishte tifozi që futet pa biletë dhe se do ta kishte të gjithë Air Albanian vetëm për vete, në stadiumin e boshatisur për shkakun e dënimit. Nuk rezultoi kështu, do të thirrej disa herë në apel. Para tij nuk gjendeshin më Kumbulla, Ismajli dhe Gjimshiti, duhej të ishte i vëmendshëm për çdo rast. Kryen dy pritje shpëtimtare që na mbajnë në lojë. Duke parë gjendjen psikologjike, mungesat e shumta dhe motivimin kundër Andorrës, do të ishte e pamundur përmbysja pas një goli të pësuar. Për këtë arsye ka shumë meritë në fitoren e djeshme. E tregon në disa raste edhe problemin që ka, teksa nuk rrezikon për të bërë dalje që duken disi kurajoze, por janë jetike. Ndoshta edhe për hir të gafave të shumta që ka kryer në të shkuarën me daljet e gabuara, tanimë është “më i frikësuar” dhe qëndron pa lëvizur, duke kërkuar të evitojë më të keqen. Mes ekstremeve, por duhet të llogaris më saktë kohën dhe të jetë ndihmesë për të qetësuar ekipin pas krosimeve në zonë. U vu re edhe në një aksion ku Dërmaku po ndihej në presion nga lojtari i Andorës, ku ishte mbrojtësi i fundit, ndërsa Strakosha nuk lëvizi nga vendi për të rrezikuar me daljen”.

Hoxhallari (5.5): “Një ndeshje pozitive për mbrojtësin e Tiranës. Shumë grumbullime me Kombëtaren, këtë herë ishte momenti për ta parë në fushën e blertë. E pranoi se kishte jo pak emocione kur Reja e njoftoi se do të ishte titullar. Kjo tregon sesa shumë e ndien peshën e Shqipërisë. Në fushën e blertë nuk nënvlerëson asnjë rast të vetëm dhe krosimet e futura në zonë prej tij kanë rrezikshmërinë e duhur”.

Dërmaku (4.5): “Lojtari më i dobët i Shqipërisë! Ende nuk mund ta kuptojmë sesi Dërmaku që më parë ka lënë përshtypje positive te Shqipëria dhe që iu bë padrejtësi te Parma, pasi i shfaqi vlerat e tij dhe ishte i pakalueshëm ndaj rivalëve më me emër në Serinë A, ka përfunduar në një gjendje të tillë. E pabesueshme! Hyri në fushë ndaj Anglisë dhe as 30 sekonda nuk mjaftuan, për të parë golin e parë të kundërshtarit. Ishte i pranishëm në 4 golat e Anglisë në Wembley, shihte pa bërë asgjë sesi Harry Kane na shënoi me rroveshatë dhe pa asnjë ndikim në ndihmë të Kombëtares. E njëjta gjendje paraqitet edhe ndaj Andorrës. Rivalët janë modest dhe shumë prej tyre e kanë futbollin me kohë të pjesshme, por kjo nuk vihej re me Dërmakun. Shumë herë kalohej nga rivalët me thjeshtësinë më të madhe dhe i dhuron disa faulle dhe goditje këndi, që ishin e vetmja mënyra sesi Andorra mund të na rrezikonte për të na turpëruar. Nuk ka aspak siguri dhe falë Zotit që cilësitë e Andorrës janë të limituara, ndryshe do të ishte e pamundur që porta jonë të mbahej e paprekur. Asgjë për të sulmuar rëndë mbrojtësin, duhet të na kuptojë, thjesht duhet të shkundet pas këtyre dy paraqitjeve. Nuk ishte Dërmaku që njohim, nëse vazhdon kështu, duhet ta harroj Kombëtaren”.

Mihaj (5.5): “Është thuajse në të njëjtin nivel me Hoxhallarin në lojë. Nuk mund të kalohen nga futbollistët kundërshtar, që kanë cilësi të limituara, ndërsa përpiqen që të japin sadopak ndihmë në daljen para të skuadrës. Vlerësim pozitiv, megjithëse nuk është Andorra ekipi që mund të vlerësojë një mbrojtës”.

Hysaj (4.5): “Lojtari më i dobët i Kombëtares edhe ndaj Andorrës, së bashku me Dërmakun. Nuk duam të prekim një histori të përsëritur, të një lojtari që i ka mbijetuar kohës së Europianit, që ka eksperiencë të madhe mbi shpatulla dhe nuk po jep atë që pritet në Kombëtare. Por nëse çalon edhe kundër Andorrës, është e frikshme. Në pjesën e parë ishim aq të parashikueshëm, pasi mesfushorët e shihnin që nuk kishte zgjidhje tjetër. Të gjitha pasimet e tyre po dërgoheshin në krahun e Odise Roshit, në të kundërtin e Elseid Hysajt. Thuajse çdo top i prekur nga shkodrani nuk shfrytëzohej në sulm. Pasime vendimtare që shkonin gabim në këmbët e kundërshtarit dhe krosime të hedhura në zonë që ishin të kota dhe pa adresë, asnjë prej tyre nuk mund të rrezikonte portën e Andorrës. Për këtë arsye mesfushorët nisën që të shërbenin vetëm Roshin pasi e panë se në krahun e Hysajt, nuk mund të dilej askund. Sigurisht, askush nuk e pret mbrojtësin si Dani Alvesh, por nëse nuk arrin që të jesh produktiv në fazën sulmuese edhe ndaj Andorrës, ndaj çdo rivali tjetër duhet të dorëzosh topin sapo e prek atë. Por në fakt Hysaj ka bërë gjithmonë të kundërtën. Zhgënjim!”.

Odise Roshi (7.5): “Më i miri! Sa herë e shikon me fanellën e Kombëtares, thua me vete: “Sa mëkat”! Është lojtari aktual i Shqipërisë që i ka marrë më pak karrierës së tij, më pak sesa ka merituar. Thjesht është fantastik dhe tregon se ka një klas tjetër, që të tjerët nuk e kanë. Të kujton paksa Armando Brojën ndaj San Marinos, arrin që t’i driblojë të gjithë lojtarët e Andorrës në krahë dhe të mbushi qendrën e zonës vetëm me topa të rrezikshëm. Me një Hysaj që nuk funksionon aspak në krahun tjetër, Roshi duhet që të driblojë edhe tre-katër futbollistë të Andorrës radhazi, pasi kundërshtari e kuptoi se ishte e vetmja mënyrë sesi Shqipëria mund ta rrezikonte, duke u vendosur i gjithi për të ndaluar “raketën”. Më shumë sesa një ndeshje Shqipëri-Andorrë, dukej si një ndeshje Roshi-Andorrë. Imagjinoni se çfarë mund të ndodhte nëse nuk do ta kishim në fushë. Tmerrohesh vetëm kur e mendon…”.

Ylber Ramadani (5.5): “Shkëlqeu ndaj Polonisë dhe Anglisë, ndaj dy rivalëve më të mëdhenj të grupit, por e ul ritmin me Andorrën. Një marsh më pak që nuk mund të pranohet për lojtarin që arm.ën e tij më të fortë ka faktin se është kokë ulur dhe punëtor. Në minutat e para të takimit bën gafën e madhe duke i dhuruar shansin Andorrës që të na trondis, fatmirësisht Strakosha reagon duke na mbajtur në lojë. Pjesa tjetër e ndeshjes shkon mirë për të, por herë pas here shfaq edhe disa pasiguri të vogla që bien në sy kur i gjithë vështrimi është për të mos gabuar asgjë në mesfushë, pasi kërkohej me ngulm goli i fitores”.

Qazim Laçi (6): “Mbrëmje pozitive për Qazim Laçin. Nuk e mban topin në mënyrë të tepruar në këmbë dhe i jep shpejtësi aksionit, duke zgjedhur pasimin e shpejt. Është energjik, luftarak dhe vlerë e shtuar në mesfushë. Nuk mund të arrihej më shumë ndaj një kundërshtari që mbrohej me 11 lojtarë. Për t’u vlerësuar pafundësisht fakti se shërben gjithmonë shokun e ekipit që është më i lirë dhe mund të rrezikojë më tepër, pavarësisht se ndodhet në pozicionin që të thërret për të goditur në portë. Nuk tundohet për të përsëritur rastin si të Nedim Bajramit…”

Çekiçi (6.5): “Goli i jep më shumë vlerësim, ishte njeriu që mori përsipër përgjegjësinë për të na çliruar psikologjikisht, në një moment tepër të rënduar. Kjo i shton më tepër notën. Nuk mund ta mohojmë se është lojtari që kontrollon gjithë mesfushën ndaj Andorrës dhe krijon shumë volum loje në sulm. Por sërish pritshmëritë për të dhe ajo që na ofron Cekici te Kombëtarja, janë ende larg. Në Turqi shohim golat e tij nga distanca dhe që janë spektakolar, te Shqipëria nuk ka arritur ende që të rrezikojë portën e kundërshtarit në një mënyrë të tillë, jo më për të kërkuar gola të njëjtë. Ka mundësi për të bërë shumë më tepër te pasimi final dhe për të realizuar, te Shqipëria nuk po e bën ende dhe do ta ketë të vështirë që të jetë titullar mes konkurrencës së madhe. Dikur e ngrinim zërin për mungesën e tij në formacion thuajse sa Broja sot, tani jo më, Cekici duhet të na rikthejë pritshmëritë që kemi”.

Taulant Seferi (5.5): “Një datë e shënuar e djeshmja për Taulant Seferin, që kishte datëlindjen, por nuk mundi ta festonte me një gol me fanellën e Shqipërisë. Kishte një mundësi të artë që i doli nga Uzuni, por goditja linte shumë për të dëshiruar. Seferi nuk shquhet për ndonjë nuhatje të madhe me portën, këtë herë vështirësia dyfishohej pasi ishin 11 rivalë në prapavijë. Është më i lëvizshëm se Myrto Uzuni ndaj Andorrës dhe shihet më tepër në kontakt me topin. Nuk mund të quhet një mbrëmje pozitive, por Taulant Seferi duhet të shihet edhe në të ardhmen si një alternativ që nga stoli mund ta ndihmojë Shqipërinë që do të ketë konkurrencë të madhe në këtë drejtim”.

Myrto Uzuni (5.5): “Nuk ishte mbrëmja e sulmit, as e Myrto Uzunit. Ashtu si Taulant Seferi duhet të përballej me 11 futbollistë të Andorrës. Humbet një mundësi tjetër të artë në fundin e pjesës së parë, por këtë herë portieri ndodhej më afër dhe ia bllokoi goditjen. Për gjithë pjesën tjetër të ndeshjes thuajse nuk u pa, ndoshta edhe nga mbulimi i rreptë. Do të ishte një ndeshje tërësisht për t’u harruar prej tij, por një notë më shumë e merr që arrin të fitojë penalltinë”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online