Notat e Kombëtares/ Berat Gjimshiti si një kapiten pa shirit, Abrashi i tregonte vendin Lituanisë

Nga Klaudio Ndreca

Berisha (5)- Si një nxënës i përgatitur, por nuk ngrihet shumë herë në mësim për t’u pyetur dhe të jetë në kryeqendër të vëmendjes. Kur shokët e tij kanë nevojë për të, shfaqet menjëherë për të ofruar qetësi. Etrit të përgjigjet!

Gjimshiti (7)- Një kapiten pa shirit! Fakti se luhej ndaj një Lituanisë mund ta zbehi disi, por nuk duhet të heqim fjalën “fantastike” nga performanca e Beratit. Pikërisht ajo që kishim kërkuar prej kohësh. Gjimshiti është kthyer në liderin e mbrojtjes dhe të Kombëtares. Më parë kryente vetëm detyrat e thjeshta dhe nuk merrte mbi shpatulla kuqezinjtë. Këtë herë e bën në përsosmëri, duke mos humbur thuajse asnjë duel në mbrojtje. Shtyn Kombëtaren përpara dhe e sheh në zonën kundërshtare po aq shpesh sa edhe Broja, për të kujtuar mbrojtësat modern në Europë që shkojnë përtej prapavijës. Ndeshje ideale në një natë tjetër “JO”!

Dërmaku (5.5)- Siguri ofron në shumë raste duke fituar lehtësisht duelet me kundërshtarët. Por në disa raste të rralla ka edhe ndonjë pasiguri në vendosje që mund t’i kushtojë shumë Kombëtares për t’i mbetur pesha e fajit. Paraqitje e mirë e Kastriotit, por kërkohet shumë më tepër për të fituar vendin me Ardian Ismajlin. I penalizuar edhe nga mungesa e aktivizimit te Parma!

Kumbulla (5)- Pas shumë thirrjeve të shoqëruara me dëmtime dhe arsye të ndryshme që e pengonin të vinte te Shqipëria, Marashi debutoi nga minuta e parë ndaj Kazakistanit. Por edhe ndaj Lituanisë dukej se talenti ynë më i përfolur ishte me mendje në Romë. Ndoshta edhe pak i motivuar nga emrat e kundërshtarëve, por shumë larg mbrojtësit që ne kërkojmë dhe shohim prej tij në Serinë A. Na rrezikon në disa raste teksa kërkon disa herë të dalë përpara me topin në kontroll për të dribluar kundërshtarët, ndërsa kartoni i verdhë në minutën e 32 e zbeh edhe më tepër. Nuk mund t’i ndërhyjë lojtarëve të Lituanisë në mënyrën siç dëshiron dhe kjo bën që të driblohet lehtësisht në disa raste, madje duke rrezikuar edhe portën e Berishës. Zëvendësimi nga Reja vjen me të drejtë!

Laçi (5.5)- Nga Lituania te…Lituania! Pasi la një pas një debutim tërësisht për t’u harruar, vjen një performancë në rritje nga ana e Qazimit. Bën gjërat e thjeshta dhe të nevojshme, por kërkohet diçka më tepër në mesfushë. Për sa kohë niveli është në rritje dhe jemi në hapat e parë, sinjal pozitiv.

Amir Abrashi (7)- Më i miri i ndeshjes së bashku me Berat Gjimshitin dhe Keidi Baren. Pitbulli u kthye dhe ishte i pandalshëm ndaj Lituanisë. Topin e kontrollonte sipas dëshirës dhe u kujtonte lituanezëve nivelin e tyre të vërtetë, duke ia fituar lehtësisht duelet si të ishte duke u luajtur ndaj një ekipi modest. Në fakt ndaj një Kombëtare të tillë supozohej të luhej, por që nuk na rezultoi e tillë. Kur është dita e Amirit, mesfusha e Shqipërisë i sundon të gjithë! Lituania as që llogaritej për të…

Keidi Bare (6.5)- Keidi u kthye te nivelet e larta edhe me Kombëtaren. Mesfusha është pika më e fortë në ndeshjen ndaj Lituanisë dhe muskujt tregohen lehtësisht. I aftë për nxjerrjen e topave dhe bën një punë të dyfishtë, kur sheh paaftësinë e Veselit. Del në krahë për t’u bërë i rrezikshëm për kundërshtarin dhe e afron Trashin me golin e fitores. I papërmbajtshëm!

Veseli (4)- Një nxënës ngelës që nuk e merr shkollën as për këtë vit! Sa herë që topi zotërohet prej tij, frika shtohet tek tifozët shqiptarë dhe sfera llogaritet e humbur. Gafa në pasime të thjeshta, mungesa sigurie në ndërhyrje dhe krahu që nuk funksionon as ndaj Lituanisë. Shqipëria detyrohet të luajë vetëm nga e majta, ndërsa Veseli nuk mund të bëhet kurrë i rrezikshëm në të djathtë. Pasi humb pafundësisht raste me pasimet e gabuara, njëra prej tyre rezulton e saktë për te Seferi që gaboi përpara portës kundërshtare. E si mund t’i jepet një gjysëm note, kur në atë rast mund të jetë habitur edhe vetë Veseli me saktësinë për pasimin e dhënë?

Lenjani (6)- Heroi i De Biazit na kishte munguar! Vitet kanë kaluar dhe sigurisht që niveli nuk mund të jetë i njëjti, por Ermiri në krah është energji për Kombëtaren. Shfaqet i rrezikshëm dhe ka aftësinë e munguar të Trashit për të depërtuar nga krahu dhe për t’u futur në brendësi të zonës. Nëse topi zotërohet nga ana e Lenjanit nuk është gjithçka e lexueshme për të pritur vetëm krosimin, shpeshherë i dalin me sukses driblimet.

Broja (5.5)- E ardhmja mbetet aty, por ka ende shumë për t’u përmirësuar. Kërkon të dhurojë spektakël dhe ndonjëherë duhet të bëhet më i thjeshtë. Driblon kundërshtarët dhe humbet topin në disa raste. Një aftësi ndryshe, por i duhet të rritet përkrahë një sulmuesi me eksperiencë. Këtë herë ishte protagonisti kryesor pasi Seferi erdhi si zgjedhje për herë të parë si titullar. Nuk duhet të kërkojmë më shumë…

Seferi (6)- Me të njëjtën panoramë si Broja ndaj Kazakistanit. “I miri dhe i keqi” i Kombëtares. Në rastet që krijohen te Shqipëria ka si protagonist Taulantin, që shfaqet gjithmonë i rrezikshëm përpara portës kundërshtare. Por sulmuesi vlerësohet nga gjetja e golit dhe Seferi ka një problem të madh në këtë aspekt. Nëse mungesa e shënimit ndaj Kazakistanit teksa gjendej i vetëm përballë portierit u quajt vetëm si mungesa e fatit, dy rastet e pastra që u çuan dëm me Lituaninë tregojnë se bëhet fjalë edhe për aftësinë. Kërkon falje në fundin e ndeshjes për mundësitë e humbura dhe fitoren e pa marrë prej mungesës së konkretizimit. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *