Norwichi do të luajë një kategori më poshtë në sezonin e ardhshëm. Klubi anglez nuk ka arritur të sigurojë pikët e nevojshme për të qendruar në Premier League edhe për një tjetër edicion. Por në Championship do të shkojnë pa blerjen e viti të shkuar, Milot Rashicën. Menaxheri i tij, Altin Lala, ka dhënë një prononcim për “Koha.net”, ku flet për të ardhmen e anësorit shqiptar.
“Presim të mbyllet kampionati e më pas do të flasim. E ardhmja e Rashicës do kohë. Tani fillon afati kalimtar i transferimeve dhe do të flasim pasi të mbyllet sezoni. Pavarësisht që skuadra e tij nuk funksionoi si duhet sezonin aktual, Miloti me mundësitë që kishte ka treguar lojëra të mira. Ka pasur momente të mira në lojë, pavarësisht se nuk shënoi shumë gola. Ka qenë ndër pikat kryesore të ekipit dhe ka pasur statistika pozitive. Ka qenë shumë aktiv në lojën e Norwich-it dhe i rrezikshëm për kundërshtarët.
E ardhmja e tij është e hapur. Tani hapet edhe tregu anglez dhe Milotin e njohin të gjithë. Është një lojtar që e njohin të gjitha klubet në Europë. Ka luajtur në Bundesligë dhe Premier League. Nuk ka nevojë për promovim, por ka ende kohë për të parë se në cilën skuadër do ta vazhdojë karrierën. Besoj se do të jetë një klub i përshtatshëm për të dhe ku do të luajë rregullisht”, ka thënë Altin Lala./Halit Delibashi-Sport Ekspres/