Largimi i trajnerit Pepaj dhe situata me portierin Demi është komentuar edhe nga presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka
Bernard Gjikolaj
Besëlidhja ka mbetur pa trajner, pasi Anteu Pepaj ka lënë drejtimin e ekipit, sipas tij për arsye personale. Në të njëjtën linjë është edhe presidenti Gjok Noka, i cili për gazetën ka sqaruar gjithçka ndodh në klubin lezhjan, me trajnerin dhe portierin Demi, që i hiqet shiriti dhe ulet në stol. “Nuk ka patur fare debate. Trajneri është larguar me dëshirën e tij, nuk u paraqit fare në stërvitjen e së mërkurës dhe më mori në telefon duke më thënë se nuk mund të vazhdoj më si trajner për arsye personale. Unë e mora Anteun si trajner pasi e njihja më parë dhe doja që të niste karrierën me Besëlidhjen, por nuk deshi të vazhdonte me tej, gjithsesi kjo është zgjedhja e tij. Sa për portierin, gjithkush vlerësohet sipas rezultateve, nuk është e drejtë që topi të gjuhet në Milot dhe golat të hahen në Krujë. Unë i vlerësoj futbollistët sipas rezultatit, e jo sipas historisë, mua më duhet rezultati. Demin e bëra kapiten, por nuk është e thënë që të mbetet i tillë edhe pa rezultate. Unë kam portierin e dytë Bajrin, që është edhe më i mirë. Që nga sot Demi do të jetë i dytë dhe Bajri i parë. Besëlidhja është në rrugën e duhur drejt objektivave, mos t’ia qaje kush hallin, i ka të gjitha kushtet, presidentin, trajnerin, portierin, ndaj jam optimist për të ardhmen e Besëlidhjes dhe do ta kapim objektivin”, deklaroi presidenti Noka.
DEKLARATA E DEMIT
Portieri Elson Demi, të enjten pasdite sqaroi largimin e tij, teksa deklaroi për gazetën: “Pas disa debateve, që për mua ishin të kota me presidentin, mora vendim që nga nesër të mos jem më portier i parë dhe për rrjedhojë as kapiten i Besëlidhjes dhe në janar do të kërkoj kartonin për t’u larguar nga Besëlidhja, pasi nuk mund të punoj më me atë president. Debati nisi për golin e pësuar në Shijak nga goditja e dënimit. Për mua ishte një debat i kotë, pasi e kishim kaluar atë analizë ka mbi dy javë. Më vjen keq por nuk është e udhës që të ketë dy standarde në kritika, futbollistëve të huaj që gabojnë më shumë nuk ju flet gjysmë fjale, madje veç i përgëzon. Ndërsa, disa nga ne, na kritikon vend e pa vend! Nuk duhet të ketë analiza me dy standarde! Nuk e shoh të udhës që për aspekte teknike të kritikohemi nga presidenti, pasi kjo i përket trajnerit”