Objektivi i Partizanit për të fituar titullin kampion u shua mjaft shpejt, pasi konkurrenca u nda vetëm mes Kukësit dhe Tiranës. Megjithatë për të shpëtuar sezonin, të kuqtë u fokusuan në kualifikimin për në kupat e Evropës, pasi kërkuan të zinin vendin e tretë ose të katërt në kampionat. Por dy javë nga përfundimi i Superligës, Partizani ndodhet mes dy rrugëve, teksa mundësitë për të zënë një vend për në Europa Leauge si dhe mbijetesa mbeten ende të pranishme dhe po aq larg njëra-tjetrës.
Në ndeshjen e parafundit të kampionatit, Partizani do të ndeshet me Vllazninë, ndërsa Bylisi pret Luftëtarin në Ballsh. Pra nga ana e ekipit të Dovedan pritet një fitore e lehtë në letër. Ndërkohë ekipi shkodran papritur mund të vendosë fatet e kryeqytetit në Superiore dhe të bëhet “Zoti” i saj, për të dërguar njërën në parajsë dhe tjetrën në ferr.
Vetëm pak ditë më parë do të ishte fitorja e Vllaznisë ndaj Kukësit që e shpalli automatikisht kampion Tiranën. Ndërkohë nëse Vllaznia do të marrë fitoren e detyruar ndaj Partizanit, atëherë do të shkonte vetëm dy pikë larg të kuqëve, ndërsa Bylisi do të kalonte kryeqyetasit me pikë të barabarta, por me fitore në përballje direkte.
Ndeshja e fundit e Partizanit nuk do të jetë aspak turizëm pasi gjen Skënderbeun, ndërsa Vllaznia e ka gjithçka më të lehtë përballë Flamurtarit. Pra një rrezik për zonën e “Play-Out” mund të kthehet më i frikshëm se kurrë nëse të kuqtë do të humbasin ndaj Vllaznisë. Rezultat ky që në Shkodër nuk e vendosin aspak në dyshim pasi në të kundërtën do të përgatiten vetë për të shkuar në atë pikë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/