Nga Klaudio Ndreca
Ramen Cepele mori vëmendjen e gjithë tifozëve shqiptarë dhe opinionit sportiv pas performancës fantastike që zhvilloi kundër Kosovës. Kur Reja shpalosi guximin e tij për t’i besuar fanellën e titullarit 17-vjeçarit menjëherë shpërthyen komentet: “Po ky trajner që është i çmendur? Fanella e Kombëtares vishet lehtë tani. E merr një 17-vjeçar, por sa e vështirë që ka qenë dikur që të merrte Shqipëria”.
E të gjitha këto fjalë ranë menjëherë poshtë pas vetëm 90 minutash, pasi u tregua qartësisht se në futboll nuk kërkohet me patjetër karta e identitetit për të marrë fanellën e titullarit. Cepele është një nga talentet premtues që është i aftë të bindi këdo. Aktualisht pjesë e të rinjëve të Hanoverit, mbrojtësi ka dhënë një intervistë për “Transfermarkt” që është botuar në median tonë.
Përpos fjalëve të Cepeles, ka edhe komente që vijnë nga dy njerëzit që zbuluan fillimisht aftësitë e tij. Bëhet fjalë për Bruno Cover që e zbuloi talentin te Liventina: “Ishte gjithmonë dikush që fliste pak fjalë dhe nuk ishte i vetëdijshëm për potencialin e tij, të përulur dhe vetëmohues. E admiroja për thjeshtësinë me të cilën luante, mënyrën sesi e parashikonte rrezikun dhe lexonte ndeshjen. Të kalosh në një klub prestigjioz si Interi ishte një tregues për të. Në një farë mënyre më kujton Bonuçin. Sipas meje do të luajë deri sa të shkojë 40-vjeç, se nuk e kursen veten”.
Nga ana tjetër trajneri i tij tek të rinjtë e Liventina, Marco Mariotti shton pak fjalë që tregojnë më së miri figurën e Cepeles: “Mund ta shihje fare lehtë se do të shkonte larg, si për mënyrën sesi luante, por edhe për anën psikologjike të tij. Ishte e pamundur që t’ia ndaloje për të luajtur. Madje njëherë ka ardhur që të luajë edhe kur kishte ethe”, u shpreh Mariotti. /Sport Ekspres/