Mesfushori i talentuar beratas flet nga Sllovenia, duke dhënë përshtypjet e para për klubin e tij të ri
Edi Spahiu
Gjatë sezonit të kaluar mesfushori i talentuar beratas 18-vjeçari Eraldo Hyseni, ka spikatur si një nga futbollistët më të mirë tek Tomori, dhe realisht me paraqitjen e tij është vënë nën vëzhgimin e seleksionerëve të ndryshëm, të cilët duke vlerësuar paraqitjen mbresëlënëse të këtij futbollisti, shumë shpejt vendosën kontakte për t’i ofruar atij madje edhe ndonjë parakontratë.
Mesfushori zbuloi pak muaj më parë për “SportEkspres” se dy skuadra të njohura të Superiores ishin vënë në ndjekje të tij dhe se vera e këtij viti do të ishte një mundësi reale për të lëvizur nga Berati. Tani, pas një periudhe 1-mujore në stërvitje tek Luftëtari, ka bindur drejtuesit e klubit gjirokastrit, të cilët pa nguruar aspak e kanë bërë të vetin mesfushorin e qendrës, madje i kanë afruar atij një kontratë afatgjatë 4-vjeçare, për të cilën edhe vetë futbollisti në një prononcim ekskluziv që ka dhënë nga Sllovenia, ku po zhvillon fazën me skuadrën gjirokastrite, është shprehur shumë i kënaqur për gjithçka ka arritur me Luftëtarin.
HYSENI – “Gjithçka më duket si një ëndërr, dhe kjo për sa kohë kam arritur një ngjitje të shpejtë në karrierën time, pas vetëm një viti kalendarik që jam aktivizuar me skuadrën e të rriturve të Tomorit. Unë në fakt nuk dua të flas shumë për veten, sepse jam në një klub profesionist dhe me mentalitet europian, pasi klubi gjirokastrit ka nisur të funksionoj kështu në këtë mënyrë, dhe nga informacionet që kam marrë në këtë periudhë që jam pjesë e skuadrës, drejtuesit kanë si synim që të hapin një cikël të ri tek Luftëtari, dhe ku gjithçka të funksionojë si një klub bashkëkohor.
“Kontrata ime është katër-vjeçare, por unë nuk e konsideroj aspak si një privilegj, përkundrazi qysh nga starti i punës në Gjirokastër, por dhe tani këtu në Slloveni, po punoj me shumë përgjegjësi dhe përkushtim që të justifikoj besimin e drejtuesve të Luftëtarit, pasi këtu vlerësojnë më shumë punën se sa fjalët. Nga mundësia që më ka dhënë tekniku Kostiç që është një profesionist i vërtetë, unë jam përpjekur që të tregoj vlerat e mia, dhe objektivi im është që suksesin ta arrij vetëm me punë, si duke dhënë më të mirën në stërvitje dhe ndeshjet miqësore, por edhe për ndeshjen e Europa League ndaj Ventspils po qe se do të jetë i nevojshëm aktivizimi im në Letoni më 12 Korrik në ndeshjen e vajtjes”, ka përfunduar prononcimin e tij për “SportEkspres” mesfushori 18-vjeçar Eraldo Hyseni.