Ditën e djeshme me Skënderbeun është bashkuar një futbollist i ri venezuelan, Rikardo. Vetëm 19 vjeç, bëhet fjalë për një sulmues të ri, i cili do të vëzhgohet nga trajneri Daja në ditët në vazhdim, para se të jepet një verdikt. Është një lojtar që edhe nëse pëlqehet, do të konsiderohet një investim për të ardhmen dhe me shumë gjasa do të huazohet diku, pasi nuk ka vend në ekipin aktual. “Po, ka mbërritur një futbollist i ri dhe që është vetëm 19 vjeç. Nuk mund të them më shumë se kaq, pasi sot (dje) sapo ka mbërritur dhe akoma nuk e kam parë në stërvitje. Këta që vijnë dhe që do të vijnë edhe në ditët në vazhdim janë lojtarë që i përkasin të ardhmes dhe që mund t’i quaj talente. Pasi t’i shikoj do të them edhe unë fjalën time, por përderisa nuk janë futbollistë që mund të kontribuojnë qysh tani, nuk mund të them më shumë se kaq”, u shpreh trajneri Daja dje për “Sport Ekspres”. Ndërkaq, priten edhe dy lojtarë të tjerë, të cilët do të provohen gjatë ditëve në vazhdim. Bëhet fjalë për futbollistë afrikanë, gjithashtu të rinj dhe që i përkasin së ardhmes.