Mund të konsiderohet si një deklaratë euforike, ose si një lajthitje e momentit, por trajneri Mario Kempes kërkon të marrë drejtimin e Argjentinës. Vetë tekniku është shprehur se do që të rikthejë kombëtaren argjentinase në maje, në rast se largohet Horge Sampaoli.
Ky i fundit po bën “luftë” me Federatën Argjentinase të Futbollit për të mos dhënë dorëheqjen, sepse janë shumë para në mes. Kontrata e tij skadon në vitin 2020, por nëse largohet më herët, një kandidat për të marrë vendin e tij është Kempes.
“Nuk është e lehtë të drejtosh një ekip kombëtar sepse ke një komb të tërë pas vetes. Unë jam i gatshëm të drejtoj Argjentinën dhe të marr përsipër përgjegjësitë”, – u shpreh tekniku për ESPN. Shanset janë thuajse zero, pasi karriera e Kempesit si trajner ka qenë shumë e dobët. Aventura në Bolivi, Indonezi, Itali (divizionet e ulëta) dhe Shqipëri pa fituar asgjë.
“Shqiptari” Kempes mori drejtimin e Lushnjes për një periudhë të shkurtër kohore, por u largua sa hap e mbyll sytë, pasi realiteti ishte shumë i ashpër në atë periudhë. Të shohim nëse fjalët e tij do të merren seriozisht, gjasat janë që jo.