Nga Klaudio Ndreca
Në Shqipëri dihet tashmë se prej vitesh e ndjekim Italinë si modelin tonë ideal, duke folur këtu për të gjitha fushat e jetës. Pra ashtu si edhe një fëmijë kur pyetet se si do që të bëhet kur të rritet, në Shqipëri thonë pa hezituar: “Si Italia”.
Një imitim jo shumë i bukur vjen edhe nga ana e mediave, për të marrë anën më të keqe të vendit fqinj dhe për ta transformuar paksa “shqiptarçe”. Shpeshherë duke përfunduar në veshje të tepruara nga ana e prezantueseve që më shumë rrinë përshtat në lokale të natës, sesa në një emisioni ku mund të diskutohen tema të ndryshme dhe që ndjekësit të kenë se çfarë të dëgjojnë, e jo se çfarë të shohin.
E këtu nuk mund të rezistonin dot as mediat sportive shqiptare, që kanë edhe më shumë hapësirë për këtë pjesë, pasi ngjarjet e diskutuara nuk janë me rëndësinë e politikës. Ekspozimi i tepruar i pjesëve të trupit, mungesa e theksuar e informacionit rreth sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti, janë dy nga problemet kryesore që përballen në pjesën më të madhe ndjekësit.
Të shohësh apo të dëgjosh? Kjo është edhe “dilema hamletiane” për shqiptarët në këto vitet e fundit. Por gjithmonë ka shpresë dhe për këtë arsye duhet t’i jepet një jehonë më e madhe atyre modeleve që duhen ndjekur realisht, sadopak që të jenë.
Këtë herë kemi zgjedhur që të shohim disa raste të moderatoreve dhe gazetareve të reja shqiptare, që ndryshojnë në këtë katrahurën tonë, sigurisht sipas këndvështrimit tonë. Në Kosovë ka një frymë edhe më europiane, pasi Qendresa Krelani është edhe komentatorja e vetme sportive në trevën shqiptare. Informacionet e saj rreth futbollit nuk vendosen asnjëherë në diskutim, ndërsa analizat e bëra e thyejnë edhe mitin: “Ky sport është për meshkuj, duhet të flasin vetëm ata”. Pavarësisht pamjes së bukur të jashtme, në rastin e Krelanit ka pafundësisht për të dëgjuar, madje edhe për të mbajtur shënim.
Nga ana tjetër një gazetare dhe moderatore që sjellë një frymë ndryshe në Shqipëri është Klevisa Alinani. Emisioni “Fax Sport” është kthyer këto kohë në një burim të madh informacioni edhe për media të tjera, pasi intervistat e zhvilluar me protagonistët aty kanë shumë detaje të veçanta, e mbi të gjitha duke evituar “pyetjet shteruese”: “A ke gjetur ndonjë të dashur?”. Pra këto tema që në vendin tonë vazhdojnë të preken dhe duke u menduar se përfshijnë interesin e publikut, megjithëse është krejt e kundërta, ajo kohë ka kaluar.
Gjithashtu edhe veshjet e përzgjedhura prej saj nuk e tejkalojnë asnjëherë masën e lejuar, duke u paraqitur edhe njëherë për publikun, që ky i fundit të ketë se çfarë të dëgjojë. Në mediat tona flitet dhe stërflitet për mënyrën sesi duhet të ndryshojë futbolli dhe sesa mirë duhet të jetë në të ardhmen, pasi ka shumë për të përmirësuar. Por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë që të shihemi shpeshherë në pasqyrë… /Sport Ekspres/