Klaudio Ranieri nuk do të vijojë të jetë trajneri i Nantës në Ligën 1 franceze. Lajmi ishte në ajër prej kohësh, por dje presidenti i Kanarinave Ualdemar Kita konfirmoi largimin e italianit, i cili të shtunën do të jetë për herë të fundit në stolin e klubit francez.
“Nuk mund t’i fshehim gjërat. Zhvilluam një takim me sponsorët dhe Ranieri na la të kuptonim se do të largohet, falënderoi të gjithë. Edhe ne e falenderojmë për punën e kryer. Nuk ka që e gjithmonë e lehtë. Na vjen keq, por jeta është e tillë, nuk ka pse të trishtohemi”.
Që të martën Ranieri e kishte dhënë sinjalin e lamtumirës: “Ishte një kënaqësi të punoja me ju. I uroj gjithë te mirat Nantës”.
Duhet kujtuar se Ranieri doli kampion në Angli me Lester Sitin dhe te Nantës ka bërë një punë të shkëlqyer, edhe pse pas një pjese të parë të shkëlqyer të sezonit erdhi rënia dhe nuk u arrit synimi madhor, Europa League.