Verilindorët mund të nënshkruajnë me Alban Bunjakun, por vetëm në merkaton e janarit…
Emri më i fundit që lidhet me Kukësin është ai i Alban Bunjakut. Një shqiptar nga Kosova, i lindur në Angli, mund të jetë përforcimi më i fundit i Kukësit, por që në teori nuk mund të aktivizohet para merkatos së janarit. “Sport Ekspres” mëson se lojtari ka pasur kontakte me Kukësin dhe sot mund të ketë zhvillime për të bërë një hap tjetër drejt lidhjes së një marrëveshje, që më pas të veshë fanellën e kuksianëve në ndeshjet zyrtare në pjesën e dytë të edicionit. Bunjaku është formuar si futbollist në akademinë e Arsenalit. Pasi është aktivizuar në disa takime me Arsenalin U-18 kaloi te Sevilja B. Pas aventurës spanjolle, 23-vjeçari u rikthye në Angli, duke nënshkruar për dy vite me skuadrën Derbi U-21. Së fundmi Bunjaki nënshkroi në ligën e dytë holandeze me Dordreht. Mesfushori i grumbulluar dhe në tre miqësore nga përfaqësuesja e Kosovës, saktësisht me Haitin, Turqinë dhe Senegalin, është një lojtar i lirë, çka nuk e pengon që të nënshkruajë me një klub. Një mundësi për të rilindur mund të jetë një transferim te kampionët e Shqipërisë. Ish-lojtari i akademisë së Arsenalit luan në qendër të mesfushës dhe ardhja e tij mund ta mbipopullojë këtë repart, pasi elementët nuk mungojnë. Pritet që Kukësi dhe mesfushori të lidhin një kontratë 3-vjeçare, megjithatë pritet që gjithçka të saktësohet sot. Nisja jo e shkëlqyer e kampionatit mund t’i ketë shtyrë drejtuesit verilindorë që të ndërhyjnë në merkato.
SKEDA
Emri: Alban
Mbiemri: Bunjaku
Mosha: 23 vjeç
Pozicioni: Mesfushor qendre
Karriera
Arsenal U-18 (Angli)
Sevilja B (Spanjë)
Derbi U-21 (Angli)
Dordreht (Holandë)