Disa milionë euro investim, punë intensive për dy muaj dhe tashmë klubet kosovare në kupat e Europës luajnë në shtëpi
Rreth dy muaj punë, pak milionë euro dhe mrekullia u krye: Kosova ka një stadium modern në Mitrovicë, pasi në “Adem Jashari” janë kryer punime urgjente në më pak se dy muaj dhe gjithçka është kryer. Me një fond prej pak milionë eurosh, punimet kanë ecur me ritme të shkëlqyera dhe mund të shërbejë si një model edhe për disa stadiume të tjerë në Kosovë, mbi të gjitha në Prishtinë, pasi duhet një stadium për përfaqësuesen e Kosovës. Në teori, stadiumi i Mitrovicës është në rregull, por dihet sa e ndërlikuar është të luash një ndeshje futbolli me dhjetëra mijëra tifozë brenda e jashtë stadiumit, pikërisht në veri të Kosovës, ku konfliktet me serbët nuk kanë munguar kurrë. Punimet janë kryer nga kompania “Rafii”, që në fakt ka bërë një punë të shkëlqyer dhe duhet falënderuar, pasi këtë mesjavë mijëra kosovarë do të pushtojnë Mitrovicën, për ndeshjen historike të Trepçës ’89 në Champions League, kundër Vikingurit.
Më poshtë, nga burime pranë kompanisë që ka kryer punimet, që është marrë me rikonstruksionin e stadiumit “Adem Jashari”, është siguruar lista e punimeve të kryera në stadium:
Në përdhese – Janë rregulluar hyrjet për ekipe, media, arbitra dhe delegatë. Janë kompletuar dhomat e ndërrimit të lojtarëve, me te gjitha elementet që kërkohen aty. Janë rregulluar, kompletuar edhe dhoma mjekësore, dhoma anti-doping, zyra për delegatë, hapësira punuese për gazetarë, dhoma e konferencave, hapësira miks.
Hyrjet për spektatorë 1-14 – Është bërë punimi dhe montimi i dyerve hyrëse rrotulluese tek të gjitha hyrjet, 14 të tilla,me grilat shtesë për të shtuar sigurinë.
Janë ndërtuar edhe 4 dhoma për ndihmën e parë, të kompletuara me të gjitha elementet përkatëse. Ka ndryshuar edhe pamje e 4 nyjeve sanitare për spektatorë, edhe këto tashmë funksionale për përdorim.
Tribunat – Në tribunat perëndimore, atë të katit të parë dhe të sipërm, është bërë shtrimi i shtresave të epoxidit (material rezistent ndaj ndikimeve të ndryshme atmosferike), vendosja e stolave, gërryerja dhe lyerja e kapriatave tek mbuloja e tribunës së sipërme.
Janë shembur shkallët e dëmtuara nga shiu dhe janë betonuar përsëri, gjithashtu janë lyer shkallet e gardhet, ku gjithashtu janë vendosur edhe shenjat paralajmëruese sipas rregulloreve të UEFA-s.
Punimet rreth fushës – Është shtruar rrjeti i furnizimit me ujë për ujitjen e fushës, është punuar hapësira e barit përreth fushës, janë vendosur ulëset për ekipe dhe delegatë. Është rregulluar edhe mbulesa rrëshqitëse e hyrjes se lojtarëve.
Zona VIP – Është konstruktuar ashensori për persona VIP, është rregulluar ambienti i brendshëm i restorantit me dhomat përkatëse. Janë vendosur ndenjëset për persona VIP.
Dhomat e medias – Është konstruktuar edhe ashensori gjysmë-struktural për gazetarë,qe mundëson bartjen e kamerave dhe elementeve përcjellëse që nevojiten, të vendosura në platformën që është krijuar në tribunën e sipërme, e kompletuar edhe me nevojat e tjera të domosdoshme për gazetarë si priza, reflektorë, priza te internetit, telefonit etj.
Në katin e parë është punuar edhe studio për komentatorë. Ky kat përmban edhe hapësirën e sigurimit, që nëpërmjet altoparlantëve të vendosur rreth fushe mbulon kërkesën për dëgjim të përshtatshëm të njoftimeve që jepen nga ajo dhomë. Po ashtu, është vendosur edhe ekrani i ri.