Një ndeshje do të jetë falas dhe të tjerat me pagesë, mësohet sesi do të jetë transmetimi i takimeve të Superiores nga MCN TV

Tashmë është e ditur se ndeshjet e Superiores do të transmetohet në “MCN TV”. Ishte ky televizioni që arriti të fitonte të drejtën për të dhënë këto përballje të futbollit shqiptar, pa harruar edhe Kategorinë e Parë apo Kupën e Shqipërisë.

Por si do të transmetohen të gjitha këto përballje në një kanal? Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, e ka bërë situatën disi më të qartë. Për momentin është e garantuar dhënia e një ndeshje falas, por ka gjasa që mund të jepen edhe një ose dy ndeshje të tjera pa pagesë.

Nga krahu tjetër, pjesa e takimeve të mbetura do të transmetohet në një tjetër platformë. Mbetet të shihet nëse platformat e tjera do të jenë pa pagesë apo platforma tek të cilat duhet të paguash për të parë ndeshjet, por me shumë gjasa do të jetë kjo e fundit.

“Unë i kam parë komentet dhe pyetjet e shumta. Kam marrë shumë telefonata, për të ditur se si do jetë transmetimi. Asnjë nuk do ta besojë, që për momentin kjo gjë nuk është e ndarë. Përpjekja e MCN, do të jetë për të respektuar futbollin shqiptar dhe FSHF. Për të garantuar një transmetim dhe imazh të pastër.

Detyrimi jonë i dytë është me publikun. Nëse do kemi mundësinë të kemi dy apo tre ndeshje falas, do të jetë shumë mirë. Një ndeshje falas është e sigurt. Po punojmë që platforma ku do jemi, të jetë e aksesueshme në çdo vend ku ka shqiptarë.

Të katërta ndeshjet e kësaj jave, do të jenë falas, te shikojmë në vijim se çfarë do të ndodhë. Mediave të tjera, ua kemi shtrirë dorën. Nuk kemi asgjë me Rtsh, Report TV apo Neës24. Janë shumë ndeshje. Material do të ketë plot, gjatë këtyre tre apo më shumë sezoneve. Duhen më shumë kanale. Nëse do të ketë një nga tregu, që të paguajë dhe ta transmetojë falas, pse jo?! Në të kundërt do kalojë në platformat me pagesë.

Ne njoftuam AMA-n, në rrugë zyrtare. Më erdhi shumë mirë, që reagimi ishte i menjëhershëm. Kjo është për të futur futbollin në një dimension të ri. E drejta TV, është burimi më i madh i të ardhurave. Unë kam parë një interesim të çmendur për futbollin shqiptar në këto ditë.

Është shumë herët për ta thënë kush fiton. Për mua, të fitojë më i miri. Unë kam qenë tifoz kryesisht me Partizanin, por për një periudhë edhe me Tiranën. Si lapraks që kam qenë, haja të shara të shumta, kur isha me Tiranën”, tha Meksi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *